Tenisti serb Novak Djokoviç rrezikoi të ngjallte një polemikë politike në “French Open” të hënën pasi shkroi një mesazh për Kosovën pas fitores së tij në raundin e parë.

“Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”, shkroi 22 herë kampioni i Grand Slam, Djokoviç në një objektiv kamerash në serbisht.

Rreth 25 ushtarë paqeruajtës të NATO-s që mbronin tri komuna në veri të Kosovës u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë të hënën, ndërsa presidenti i Serbisë e vendosi ushtrinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

Incidentet erdhën një ditë pasi shefi i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës që të ulë tensionet me Serbinë pas përleshjeve midis policisë kosovare dhe protestuesve që janë kundër marrjes së detyrës së kryekomunarëve shqiptarë në zonat etnike serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se të hënën janë plagosur 52 serbë, tre prej tyre rëndë, ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar homologun e saj serb për destabilizimin e Kosovës.

Serbia dhe aleati i saj tradicional Rusia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Moska ka bllokuar ofertën e vendit për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Serbia ende e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

“Kosova është djepi ynë, fortesa jonë, qendra e gjërave më të rëndësishme për vendin tonë… Ka shumë arsye pse e kam shkruar këtë në kamera”, citon radio RFI të ketë thënë 36-vjeçari Djokoviç për mediat serbe.

Federata franceze e tenisit (FFT), e cila organizon ngjarjen, i tha Reuters se “nuk kishte rregulla zyrtare të Grand Slam-it mbi atë që lojtarët mund ose nuk mund të thonë. FFT nuk do të bëjë asnjë deklaratë ose do të mbajë asnjë qëndrim për këtë çështje.”

Djokoviç do të shpresojë të shmangë një tjetër shpërqendrim politik në një Grand Slam pasi mbrojti babanë e tij në Australian Open në janar, kur u shfaq një video që tregonte atë duke pozuar me disa tifozë që mbanin flamuj rusë në mes të luftës në Ukrainë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: