28 subjekte politike janë në garë sot kur qytetarët e Kosovës u janë drejtuar kutive të votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa 4 janë kandidatët për kryeministër, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj.
News24 po transmeton live maratonën elektorale duke ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Kosovë. Gazetari Renaldo Salianji raporton të rejat më të fundit nga Prishtina.
Për postet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, janë gjithsej 1 280 kandidatë që kanë kërkuar besimin e qytetarëve, ndërsa numri i votuesve brenda dhe jashtë vendit është 2 milionë e 75 mijë e 868.
Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Voton presidentja Vjosa Osmani
Voton kryeministri Albin Kurti
Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku i drejtohet kutive të votimit
Voton kandidati i PDK për kryeministër, Bedri Hamza
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK, voton i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët
Në garë janë 28 parti politike, të cilat sot kërkojnë votën e qytetarëve për parlamentin e ri. Kuvendi i Kosovës ka 120 vende. Kush merr 61 mandate deputetësh, fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë e re.
Kandidatët për kryeministër
Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosja VV
Lumir Abdixhiku – Lidhja Demokratike e Kosovës LDK
Bedri Hamza – I kandiduar nga Partia Demokratike e Kosovës PDK
Ramush Haradinaj – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK
Ndryshimet në ligjin për zgjedhjet
Me ligjin e ri janë bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda dhe jashtë vendit. Duke filluar nga zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë të një subjekti politik.
Për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që nga këto zgjedhje, lehtësohet procesi i votimit. Përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e nëntë shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Zhvillimet nga votimet në Kosovë
Ora 17.05 KQZ: Pjesëmarrja e votuesve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, mbi 75%
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës kanë votuar 15.352 votues nga 20.324 të regjistruar gjithsej.
Duke folur në një konferencë për gazetarët, ai tha se pjesëmarrja e votuesve në 30 përfaqësi të Kosovës, ishte 75.54 për qind.
Votimi në këto përfaqësi është zhvilluar një ditë më herët, më 8 shkurt.
Ora 15.25 Një grua në Zveçan ndalohet për fotografim të votës
Një grua e nacionalitetit serb u ndalua për fotografimin e fletëvotimit në një vendvotim në qendrën 2091 në Zveçan – pjesa veriore e Kosovës.
Pas raportimit të ngjarjes nga një anëtare e komisionit të qendrës së votimit, ajo u dërgua në stacion policor, edhe pse tha se e ka fshirë fotografinë.
Një grua e nacionalitetit serb u ndalua për fotografimin e fletëvotimit në një vendvotim në qendrën 2091 në Zveçan – pjesa veriore e Kosovës.
Pas raportimit të ngjarjes nga një anëtare e komisionit të qendrës së votimit, ajo u dërgua në stacion policor, edhe pse tha se e ka fshirë fotografinë.
Ora 15.00 KQZ raporton shifrat e pjesëmarrjes, 28.3%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare deri në orën 15:00 ishte 28.32 për qind. Zëdhënësi Valmir Elezi tha se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ishte më e ulët.
“Në 91.20 për qind të vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558.246 votues nga 1.970.944. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e vitit 2021 kanë votuar 32.32 për qind”, tha Elezi në një konferencë për media që nisi pak pas orës 16:00.

Ora 13.30 Veriu iu kthehet kutive të votimit për zgjedhjet e Kosovës
Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë po marrin pjesë edhe gjashtë subjekte politike nga komuniteti serb. Megjithatë, Beogradi zyrtar mbështet vetëm një opsion, ndërsa Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në “mobilizimin” e personave të zhvendosur për të votuar në zgjedhjet në Kosovë, duke ua siguruar transportin.
Ora 12.37 Zgjedhjet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, shifrat
Teksa votimi në Kosovë po vazhdon më 9 shkurt, një ditë më parë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kishin mundësi që të votonin për herë të parë në përfaqësitë diplomatike.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 20.324 votues të regjistruar, 15.552 ose 73.56 për qind e tyre votuan në konsullata dhe ambasada të Kosovës.
Votimi më 8 shkurt u zhvillua 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Po ashtu, përveç votimit në përfaqësitë diplomatike, votuesit jashtë vendit kanë mundur që të votojnë përmes postës.
Fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, sipas KQZ-së, do të transportohen në Kosovë nga e hëna, ku më pas do të numërohen.
Ora 12.00 Pjesëmarrja arrin rreth 15%
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka zhvilluar një konferencë për media lidhur me procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në vend.
DNV ka bërë të ditur se, në bazë të vëzhguesve të saj, deri në mesditë, pra deri në orën 12:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve.
‘‘Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit – që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve (me margjinë gabimi+/-0,37), nga 1,970,944 e qytetarëve me të drejtë vote. Në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi’’, është thënë mes tjerash në konferencë.
Ora 11.30 Vjosa Osmani: Ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë tonë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që e mbara t’i prijë Kosovës, dhe që procesin e zgjedhjeve e sheh si shumë të rëndësishëm, meqë, sipas saj, Kosova është lidere për nivelin e demokracisë në rajon.
Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka votuar në një qendër votimi në Prishtinë.

“Duhet ta mbajmë të tillë [nivelin e demokracisë], dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre”.
Sipas saj, njëra ndër mënyrat më të mirat për të kontribuuar në demokracinë e Kosovës, është përmes votimit, andaj i ka bërë thirrje gjithsecilit që ta bëjnë vlerësimin për politikanët që i kanë përfaqësuar, apo për ata që dëshirojnë t’i kenë në të ardhmen.
Ora 11.00 Pjesëmarrja 8.41%

Ora 09.48 Voton Albin Kurti
Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai inkurajoi të gjithë qytetarët që të votojnë në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në Kosovë.
“Ushtrojeni të drejtën tuaj demokratike për ta bërë zërin tuaj që të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm”, tha Kurti.

Kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ora 7.00 Hapen qendrat e votimit në Kosovë. 2 mln qytetarë me të drejtë vote
Materialet janë shpërndarë në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, u shpërndanë në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit filloi në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda në Kosovë, është: 1,970,944.
Risia e procesit të këtij viti, është që heshtja zgjedhore, pas ndryshimeve ligjore, do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Pra heshtja zgjedhore do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Deri më tani, partitë janë zotuar se do të garojnë pa koalicione, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve priten fillimisht, për të vlerësuar më pas mundësitë për koalicionet pas-zgjedhore.
(BalkanWeb)