I dënuar për tentimvrasje të ish partneres, një kosovar duke qenë në vuajtje të paraburgimit, ka arritur të telefonojë nga qelia e tij plot 165 herë. Personi në fjalë është dënuar në fund të janarit të këtij viti me pesë vjet e dhjetë muaj burg por dënimi i tij ende nuk është i plotfuqishëm.

Gjatë seancave gjyqësore kundër tij, është bërë e ditur se ai, përmes një telefoni të kontrabanduar ka telefonuar 165 herë. Policia ka përgjuar një numër të madh të telefonatave të tij me nënën dhe me vëllanë, ku ai, përmes tyre, ka drejtuar kërcënime kundër familjes së viktimës.

Gjykata e ka shpallur kosovarin të pafajshëm sa u përket veprimeve përgatitore për lëndim trupor dhe për vrasje të rëndë, pasi që përkthimet e bisedave të përgjuara kanë qenë të paqarta dhe për faktin se i akuzuari ka qenë nën ndikimin e barnave qetësuese, transmeton albinfo.

Rasti i kosovarit tashti është bërë objekt trajtimi i politikës. Parlamentari kantonal i SVP-së nga Romanshorni, Urs Martin në një interpelancë në parlament pati kërkuar sqarime për shkeljet e mundshme të autoriteteve kompetente në rastet e shpeshtuara të ikjeve nga burgjet e kantonit Thurgau. Ekzekutivi i kantonit i ka arsyetuar këto me mungesën e personelit të mjaftueshëm.

Ndërsa i njëjti deputet në interpelancën e re dëshiron të dijë se a është e mundur që kur delinkuentët e rrezikshëm, nga burgu bëjnë nxitje për vepra të reja penale, drejtoria e burgut të mos e vërejë gjithë këtë? Ai ka kërkuar që në burgun e Kantonit të ushtrohen edhe kontrollime trupore të vizitorëve. Për të gjitha, duhet të mbajë përgjegjësi personale qeveria e kantonit, ka thënë ai.

(ma.ar/tg/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: