PRISHTINE – Mëngjesi i 1 dhjetorit ia ka ndryshuar jetën Ismail Imishtit nga Hani i Elezit, me vendqëndrim në Breshia të Italisë. Ai u arrestua teksa ishte nisur për në punë, nën dyshimin se po propagandonte ideologjinë xhihadiste.

Në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë, në Han të Elezit u arrestua edhe vëllai i tij, Samet Imishti. Autoritetet italiane besonin se dy vëllezërit kosovarë i përkisnin një grupi terroristësh, që po planifikonin një sulm ndaj Papës.

Por, të gjitha këto i ka hedhur poshtë Ismail Imishti, i cili e konsideron arrestimin e tij si spektakël të Policisë dhe mediave, që të propagandohet dhe të paraqiten kosovarët si përkrahës të ISIS-it, shkruan Express.

Imishti rrëfen se në stacionin e Policisë nuk i është bërë asnjë pyetje në lidhje me terrorizëm. Ai tha se policët i kishin deklaruar se ishte arrestuar për shkak të publikimeve në “Facebook” të vëllait të tij Sametit.

“Sameti ka pasur probleme mendore sa ishte në Itali, në vitin 2012, në kohën kur kompania e tij kishte falimentuar. Ai është trajtuar në një spital psikiatrik në Rovato të Italisë, por nuk është shëruar plotësisht. Në kohën kur i janë prishur dokumentet italiane dhe është kthyer në Kosovë, ai ka hyrë sërish në depresion dhe ka qëndruar i mbyllur. Nëse Sameti ka shkruar diçka, atë e ka bërë pa vetëdije, duke menduar që është shprehje e lirë. Unë nuk e di se çka ka shkruar saktë ai, por ju garantoj se nuk ka bërë nxitje, pos inat që ia kanë prishur letrat autoritetet Italiane”, – ka thënë Ismaili.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: