KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, edhe njëherë kanë ftuar partitë opozitare që të kthehen në Kuvend, për të debatuar për çështjet të cilat i preokupojnë ata.

Ndërsa thanë se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve. Kryeministri Mustafa, tha se çdo tentim për bllokim të punës së Kuvendit, do t’i ngadalësojë proceset, do ta dëmtojë vendin si dhe relacionet me vendet e BE-së dhe SHBA-të.

“Unë edhe sot i bëj nga qeveria ftesë opozitës, që të gjitha çështjet që atë e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të zhvillojmë debat demokratik ashtu siç e do demokracia evropiane dhe pro perëndimore. Ne jemi në gjendje të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari dhe të atyre që ishin dje në protestë dhe nuk aplikuan dhunë. Unë përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë dhe në mënyrë të dinjitetshme kanë përfunduar protestën. Po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës, që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë por të kthehen në Kuvend dhe në Kuvend t’i zgjidhim të gjitha çështjet”, tha Mustafa.

Mustafa po ashtu përgëzoi Qeverinë për punën e bërë këto vite, duke vlerësuar se është bërë punë e madhe dhe të arriturat janë shekullore. Ndërsa tha se koalicioni qeveritar, ka bërë një punë të shkëlqyer.

Thaçi: Dialogu e vetmja zgjidhje
“Dje ishte i mirëseardhur vendimi i njerëzve që morën pjesë në protestën e opozitës, për të hequr dorë nga përdorimi i dhunës. Apo të mos iu përgjigjen thirrjeve të eprorëve opozitarë, për protestën e organizuar në Prishtinë, për përdorimin e dhunës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që dhuna nuk çon askund. Përkundrazi dialogu është zgjidhje e vetme që duhet të ndodh, qoftë në zyrën e presidentes, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mendoj se ky debat dhe këto këndvështrime të ndryshme për proceset politike, duhet të diskutohen në kuvendi dhe të ballafaqohen në Kuvendin e republikës së Kosovës…Ne do të iu bëjmë ftesë të vazhdueshme që të gjithë të ulemi të bisedojmë”, theksoi Thaçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: