TIRANE – Gjykata pritet të vendosë në seancën e 29 janarit, lidhur me kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Kostandin Xhuvanit, i akuzuar për vrasjen e katër personave në një lokal nate në Tiranë. Seanca e sotme në ngarkim të djalit të ish-deputetes Luiza Xhuvani ka zgjatur vetëm disa minuta, ndërsa prokurori i çështjes ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes dhe vetë Xhuvanit për gjykim të shkurtuar, dhe ka paraqitur disa akte të tjera për llogari të hetimit, si një tabelë fotografike nga vendi i ngjarjes dhe akte të ndryshme ekspertimi të nevojshme për hetimin. Xhuvani i pranishëm në sallën e gjyqit nuk ka dashur të njihet me aktet e paraqitur, duke pranuar se është dakord më çfarë ka sjellë organi i akuzës. Pas kësaj, gjykata ka mbyllur seancën e sotme, duke deklaruar se do të shprehet për kërkesën e Xhuvanit për gjykim të shkurtuar, nëse do ta pranojë apo jo, në seancën e radhës që do të zhvillohet më 29 janar.
Kostandin Xhuvani akuzohet për vrasjen e 4 personave, pas një konflikti të ndodhur në datën. 04.11.2014 në një lokal pranë Rrugës së Elbasanit, në Tiranë, ku u ekzekutuan me armë zjarri shtetasit: Edison Jaho, Enea Xhaj, Arbër Demiraj dhe italiani, Giampaolo Azzola.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: