Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka cilësuar “provokim të vetëdijshëm” veprimin e anijes luftarake britanike në Detin e Zi.

Duke folur për gazetarët në kryeqytetin Moskë, Peskov pretendoi se anija luftarake britanike ka kryer shkelje kufitare në Detin e Zi. Ai theksoi se janë të shqetësuar nga veprimet e Britanisë dhe se këto veprime janë të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Mendojmë se anija britanike ka kryer provokim. Dëshirojmë të theksojmë me keqardhje se gjithashtu ky është një provokim i përgatitur dhe i vetëdijshëm, tha Peskov.

Ai theksoi se në të ardhmen mund të japin kundërpërgjigje ndaj veprimeve të ngjashme dhe se Rusia do të marrë masat e nevojshme në nivel diplomatik për këtë çështje.

Më herët, edhe zv/ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Ryabkov, theksoi se do të mbrojnë kufijtë e tyre dhe dënoi, siç e quajti ai, “këtë provokim dhe aktivitetet në rritje pranë kufijve tanë të forcave të armatosura të Britanisë, SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s”.

– Pretendimi se anija luftarake britanike kreu shkelje të kufirit në Detin e Zi

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se anija luftarake “Defender” e Britanisë shkeli kufirin në Felenk që ndodhet në jugperëndim të Krimesë.

“Anija ruse për mbrojtjen kufitare hapi zjarr paralajmërues ndaj anijes britanike në orën 12.06 dhe 12.08. Avioni Su-24M, 9 minuta më vonë paralajmëroi se do të gjuajë ndaj kursit të anijes Defender”, tha ministria ruse.

Lidhur me ngjarjen, atasheu ushtarak në ambasadën e Britanisë në Moskë u thirr në Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes refuzoi pretendimet se avioni rus ka hapur zjarr paralajmërues ndaj anijes luftarake britanike me arsyetimin e kryerjes së shkeljes kufitare në Detin e Zi.

Rajoni Felenk, për të cilin pretendohet se ka kryer shkelje anija britanike, ndodhet brenda ujërave territoriale të Krimesë.

Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë në vitin 2014.

Sipas rregullave të ligjit ndërkombëtar, Krimea konsiderohet se i përket Ukrainës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb