Çfarë kremi të zgjedh për fëmijën tim? A bën punë edhe ai që përdorim ne të rriturit? Sa herë në ditë duhet ta lyej fëmijën? Këtyre e të tjera dyshimeve të nënave për kremrat e diellit u jep përgjigje dermatologia Maya El Hachem, nga spitali pediatrik “Bambino Gesù” në Romë.

1. Në cilën moshë duhet të filloj kremin e diellit për fëmijën?
Përpara 6-8 muajsh bëni mirë të evitoni nxjerrjen e foshnjave në diellin e plazhit. Deri 24-36 muajsh, fëmijët duhet të ekspozohen pak në diell, vetëm në mëngjes herët dhe pasdite vonë. Në çdo rast duhet të përdorni kremin e diellit edhe nëse fëmija është në hije apo në karrocën e tij.

2. Duhet të përdor krem posaçërisht për fëmijë, apo bën punë edhe ai për të rritur?
Nëse lëkura e fëmijës është e shëndetshme dhe nuk vuan nga alergjitë, mund të përdorni edhe kremin që përdorni vetë. Në rast se fëmija ka probleme si dermatiti atopic apo alergjitë e ndryshme, duhet të përdorni një linjë specifike për fëmijë me probleme të tilla.

3. Spray, qumësht, apo krem: cila është zgjedhja më e mirë për fëmijën?
Përdorni atë që preferoni, që u duket më komode. Në përgjithësi kremi dhe qumështi kundër diellit përdoren për lëkura të thata.

4. Sa duhet të jetë faktori mbrojtës në kremin e fëmijës?
Deri në 6 vjeç këshillohet që faktori mbrojtjes të jetë 50+, pas 6-7 vjeç mund të kaloni në kremra me faktor 30 dhe më vonë 15-25.

5. Për fëmijët janë më të mirë kremrat me filtra fizikë apo kimikë?
Filtrat fizikë janë substanca minerale, si oksidi i zinkut, bioksidi i titanit, që reflektojë rrezet e diellit. Kremërat me këta filtra përdoren kryesisht nga fëmijët që nuk u këshillohet ekspozimi në diell për shkak të patologjive apo ilaçeve të ndryshme që mund të përdorin. Filtrat kimikë përdoren më së shumti, pasi kanë substanca që neutralizojnë rrezet ultraviolet. Shumë kremra kanë një përzierje të filtrave fizikë dhe kimikë, që garantojnë një mbrojtje më komplete nga dielli.

6. A mund ta nxjerr në diell pa problem fëmijën, nëse i kam vendosur kremin?
Edhe me krem fëmija nuk mund të qëndrojë gjatë në diell. Kremi është një mbrojtës thelbësor për lëkurën, por nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur nga rrezet e diellit në orët e pikut. Fëmijët duhet të shmangin diellin nga ora 11 deri në 16:30.

7. Sa herë në ditë duhet t’ia vendos kremin fëmijës?
Çdo dy orë duhet ti vendosni fëmijës krem, pavarësisht nëse lahet apo jo në det, pasi efekti i kremit sa vjen e dobësohet. Kujdes vendosni kremin në lëkurë të thatë dhe jo kur fëmija është i djersitur.

8. Po nëse nuk jemi në plazh, ta përdorim kremin për fëmijët?
Kremi duhet vendosur edhe nëse fëmijët nuk janë në plazh. Nëse i nxirrni jashtë gjatë ditëve të verës, duhet t’ia vendosni patjetër kremin në fytyrë, tek krahët dhe në këmbë.

9. Nëse fëmija rri gjithë ditën poshtë çadrës në plazh, mund ta shmang kremin?
Përveç faktit se është e pamundur ta mbash fëmijën gjithë kohën poshtë çadrës, hija nuk garanton mbrojtjen e lëkurës nga dielli. Kremi duhet patjetër edhe në raste të tilla.

10. A nxihet fëmija njëlloj me kremrat e diellit?
Ky është një preokupim kryesisht i adoleshentëve. Por kremi nuk e pengon aspak nxirjen, por ndihmon që lëkura të marrë një ngjyrë më të bukur.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: