NGA OLA MITRE

TIRANE– Futja e kurrikulave për dhunën nëpër shkolla, edukimi i fëmijëve civilë, kry erja e detyrës siç duhet nga punonjësit socialë dhe psikologët nëpër njësitë vendore, shtimi i numrit të strehëzave për gratë e dhunuara dhe mbështetje ekonomike për to”. Këto janë disa nga zgjidhjet që propozojnë psikologë dhe sociologë të njohur, me qëllim shmangien e rasteve të dhunës dhe krimit në familjeve.

Pas 2 ngjarjeve të rënda të shënuara në Fier dhe Korçë, ku burri vrau gruan duke e hedhur nga kati i katërt apo babai mbyti fëmijët e mitur me tel e më pas vari veten, Gëzim Tushi, Orjola Pampuri, Entela Binjaku dhe Brunilda Laboviti analizojnë ngjarjet dhe ngrenë zërin për zgjidhje. Përmes këtij forumi të “Gazeta Shqiptare”, profesionistët e njohur theksojnë rëndësinë e marrjes së këtyre masave, me qëllim shmangien e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

GËZIM TUSHI
Ngjarjet e fundit dhe në përgjithësi të tilla ngjarje që ndodhin në shoqërinë shqiptare janë një fenomen që tregon se krimi nuk është rastësor, por ka filluar të jetë një problem, që duhet vlerësuar shumë seriozisht. Unë gjykoj që nuk duhet të merremi me rastet individuale, por duhet të mendojmë strategjikisht përse ndodhin këto raste. Sipas gjykimit tim, shoqëria shqiptare është në një fazë të tillë ku ekzistenca e krimit në familje është bërë një fenomen që ka elementë që e justifikojnë ekzistencën e saj. Mund të jenë të lidhur me arsye historike, me ekzistencën e një psikologjie të caktuar të familjes shqiptare në shekuj, por ekzistenca e këtyre fenomeneve sot është jashtë kohe. Në kohën e sotme, kur shoqëria është liberalizuar, kur familja ka filluar të modernizohet, ekzistenca e tyre mund të jetë një reflektim i fenomeneve të së kaluarës, por ka edhe ca fenomene të sotshme, të cilat janë komplekse. Herë pas here thuhet që është faktori ekonomik që nxit krimin në familje. Ky është një shkak, por nuk mbulon gjithë ekzistencën e këtij fenomeni. Ka edhe shumë faktorë të tjerë që lidhen me moralin, me përplasjen e koncepteve të ndryshimeve që kanë ndodhur në mentalitetin e shoqërisë së sotme, etj.

Përplasja e tyre krijon shumë probleme në familje, që më pas kthehen në konflikte midis çiftit dhe në raste të caktuara përfundojnë në krime. Por çfarë mund të bëhet? Ka një konvergjencë faktorësh që janë institucionalë, moralë, socialë, psikologjikë. Nuk duhet të jemi të njëanshëm në gjykimin e tyre. Shoqëria shqiptare vazhdon të ketë mentalitetin sikur shteti është faktori kryesor që mund të frenojë krimin në familje. Në të vërtetë, në kohët e sotme është e vështirë të pretendosh për një rol të tillë: që shteti të ketë funksione rregulluese në një institucion privat, siç është familja. Shteti padyshim ka rolin e vet: institucionet ligjore, policore, kanë peshën e vet qoftë në ndëshkimin, qoftë në parandalimin e këtij fenomeni, por unë gjykoj që ky mentalitet totalitarist i shoqërisë sonë, që mendon se gjithçka mund dhe duhet ta bëjë shteti, pra që ai të vendosë rregullin edhe në jetën familjare dhe intime është i gabuar.

Ne duhet t’u kushtojmë vëmendje faktorëve të tjerë që kanë të bëjnë me institucionet e jetës morale, me institucionet e edukimit, me familjen, shkollën, institucionet fetare, mediat, shoqërinë civile, të cilat duhet të përgatitin qytetarin civil, qytetarin human, i cili edhe në martesë, edhe në bashkëjetesë nuk duhet të jetë kriminel, por qytetar human, që di të zgjidhë konfliktet jo përmes krimit dhe vrasjes, por në mënyrë civile. Nëse ka një gjë që shkolla shqiptare bën keq është edukimi human i njerëzve, i fëmijëve. Madje, shkolla ka filluar të bëhet një institucion i rivalitetit, konkurrencës, i garës, i përplasjeve dhe kjo ka filluar të krijojë fëmijë, të cilët në të ardhmen do të jenë personalitete neurotikë, familjarë të dhunshëm, njerëz që kërkojnë të dominojnë, që duan të kenë gjithçka në dorën e tyre, që do të thotë se defektet e humanizimit të fëmijëve tanë janë shumë serioze në shoqërinë e sotme.

Në një farë mënyre, nëse ne, në institucionet e edukimit siç janë familja, shkolla dhe institucione të tjera, edukojmë njerëz të egër, njerëz që me çdo kusht duan të realizojnë qëllimet e tyre, shëndeti i shoqërisë në të ardhmen do të jetë i vështirë dhe natyrisht, edhe situata në familje do të jetë e vështirë. Shkolla duhet të ndryshojë dhënien e kurrikulave pa arsye. Duhet të mendojnë diçka edhe për formimin shpirtëror të fëmijëve tanë. Në qoftë se ne fëmijët do t’i mësojmë si makineri, atëherë do të thotë se do t’i nxjerrim fëmijë të deformuar nga pikëpamja e formimit njerëzor dhe qytetar. Në qoftë se nga familja e shkolla do të dalin njerëz njëanshëm të formuar, do të thotë që nuk kemi njerëz të përshtatshëm dhe kjo do të ketë pasoja për shoqërinë dhe familjen.

ORJOLA PAMPURI

Unë e shikoj në disa aspekte. Si kliniciste mund të them që është një rast klinik, por kjo nuk e justifikon faktin. Është një patologji, por nuk mund të lihet me kaq. Çdo patologji nxitet nga faktorë të jashtëm, të cilët ne i dimë shumë mirë: janë faktorë socialë, faktorë ekonomikë që çojnë në këto plagë sociale. Varfëria, mungesa e një pune, mungesa e një vendi ku të qëndrojnë, lëvizja demografike, përballja e kulturave, ndarja e familjeve (bashkëshorti shkon në një shtet tjetër për të kërkuar punë, ndërsa bashkëshortja qëndron e vetme) lindin mosmarrëveshje. E gjitha kjo zanafillën e ka nga varfëria. Si pasojë e kësaj varfërie lindin mosmarrëveshje dhe nga këto mosmarrëveshje lindin traumat dhe si pasojë e një traume, një individ që ka një problem, ka një çrregullim, arrin të ndërmarrë akte të tilla, siç janë ngjarjet e Fierit dhe Korçës. Përpos këtyre është edhe dhuna në familje, të cilën ne vijojmë ta kemi ende prezent edhe pse është lobuar kaq shumë ndër vite.

Në shumë raste, ajo qëndron e izoluar brenda mureve të shtëpisë dhe shumë gra nuk e referojnë atë: s’kanë një profesion, janë të varfra dhe për shkak të mbështetjes, qoftë edhe të dhunshme, qëndrojnë dhe e durojnë. Po ashtu, nuk ka një vend ku ato të referohen. Ato duhet të largohen nga dhuna, duan një strehëz. Mungesa e strehëzave është evidente. Nuk ka strehëza që t’i marrin këto gra t’i sistemojnë, t’i sigurojnë një punë, një jetesë sepse vetëm kështu do të ishin me dhjetëra, qindra gra që do të donin të largoheshin nga ai vend ku përjetojnë dhunë. Kështu bëhet, jo të ngremë zërin, pasi dëgjojmë akte të tilla fatale, që janë një plagë dhe traumë për shoqërinë. Po ashtu, është e domosdoshme të edukohet shoqëria dhe kjo ndodh duke edukuar brezin e ri. Pse jo: të jetë pjesë e kurrikulës dhe dhuna, t’i mësojmë fëmijët çfarë është dhuna. Shumë prej tyre jetojnë me të dhe nuk e dinë që të neglizohesh, shahesh, lihesh pas dore do të thotë të jesh i dhunuar. Shumë prej tyre edhe një shuplakë nuk e konsiderojnë dhunë. T’i mësojmë që të gjitha këto janë dhunë dhe duke jetuar me të, ndërtojmë një shoqëri me probleme sociale.

Ne e vazhdojmë këtë rritëm, ndaj jemi sot këtu sepse nuk i kemi thënë stop. Ne jemi një shoqëri patriarkale. Vazhdojmë ende të kemi burrin në qendër të vëmendjes në shtëpitë tona, si personin që merr vendime, ndërsa gruaja është e anashkaluar. Ne nuk duhet të fokusohemi vetëm në qendrat urbane. Në të gjitha zonat rurale kjo ekziston ende. Duke pasur burri këtë pushtet, ai konsideron pronë të tij gruan, fëmijët dhe ka të drejtë të bëjë gjithçka me to. Në Shqipëri ka ndikuar dhe një tjetër fenomen: shumë prej martesave janë bërë pa dëshirën e njërit apo tjetrit partner. Më pas lind pakënaqësia mes çiftit dhe kjo pakënaqësi manifestohet me dhunë dhe shumë prej tyre mundohen ta durojnë. Rasti i gruas së Fierit tregon se ajo donte të mbronte familjen, sepse divorci në shoqërinë shqiptare stigmatizohet, paragjykohet. Një grua e divorcuar është e padëshiruar në shoqëri, por në raste të tilla është zgjidhja më e mirë.

ENTELA BINJAKU
Para viteve ’90 dhuna kishte forma të tjera, ushtrohej nga lart-poshtë, mësohej më pak për të, kur ushtrohej horizontalisht nuk konsiderohej fare si e tillë, trashëgimia jonë kulturore nuk e trajtonte lumturinë personale, raportet emocionale nuk trajtoheshin si të rëndësishme, psika jonë sociale u përgjigjej nevojave të një realiteti të thjeshtë dhe rural kryesisht, ku për një punë dhe një shtëpi mendonte “Partia” etj. Pas ’90-ës tabloja shoqërore shqiptare ndryshoi. Lëvizjet migratore, emigrimi, tëhuajësimi i individit nga vlerat e pranuara, rënia e vlerësimit për shkollën si baza për edukimin e shoqërisë, mediokriteti partiak që la mënjanë profesionistët, organizma që ngrihen por nuk funksionojnë për atë që janë krijuar, ndjesia e braktisjes “në hallin tënd” ka krijuar tek qytetarët psikozën e një jete që vetëm vështirësohet dhe që rrugëzgjidhje s’ka. Përcjellja e modeleve që krijojnë diskriminim për të drejtin dhe punën e ndershme dhe për lavdërim për atë që shoqëria e njeh falë shkeljeve, krijon tek njerëzit ndjesinë e mungesës së shpresës dhe besimit te përpjekjet e veta. Kjo e çon individin në një ndjenjë kaosi të atillë, ku jo të gjithë janë njëlloj psikologjiksht të përgatitur t’i bëjnë ballë.

Nëse në 7 muajt e fundit në vend janë denoncuar 3195 raste të dhunës në familje, shifër në rritje krahasuar me 2869 që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo tregon se dhuna po të vlerësohet në të gjithë ndikimin e saj ka përmasa të frikshme, së pari sepse tregon rritje përkundrejt asaj që synohet, së dyti sepse është vetëm një pjesë e raportuar dhe “ana e errët e jetës familjare” është e pastudiuar ende, së treti sepse kërkon një shkallë më të madhe angazhimi, sepse kjo që është që nuk është efektive. Në kryeqytet në këtë periudhë janë 827 raste të denoncuara me 943 të dëmtuar, sërish kjo tregon që nevojat për ekspertizë dhe për shërbime janë të mëdha. Fakti që janë 106 të mitur që denoncojnë familjarët për ushtrim dhune tregon se në ç’klimë familjare jetojnë, rriten dhe edukohen këta fëmijë. Po sa prej të tjerëve nuk denoncojnë? Kur fëmija denoncon, kjo tregon se i rrituri i ngarkuar nga pushteti vendor aty mungon! Rastet e fundit të ndodhura pikërisht kur na ndajnë edhe 5 ditë nga Dita Ndërkombëtare e Të Drejtave të Njeriut dhe kur pritet të mbyllet fushata “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë” tregon se koncepti i të drejtave të njeriut në një shoqëri të varfëruar nuk gjen vend.

Pavarësisht asaj që bëhet, fushatat ndërgjegjësuese nuk kanë efektin e synuar, ndoshta sepse njerëzit nuk u besojnë ose ky proces “bëhet sikur kryhet”, ose sepse njerëzit përballë problemeve sociale janë të vetëm dhe të stërmunduar nga përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur veten në këtë kohë i dorëzohen të skajshmes. Ndërkohë që, lidhur me urdhrat mbrojtës autoriteti kryesor përgjegjës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes është Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar. Por shteti ka ngritur dhe autoritete të tjera përgjegjëse në zbatimin e kësaj linje siç janë: Njësitë e Qeverisjes Vendore, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Këto autoritete kanë përgjegjësitë përkatëse, duke bërë të mundur kalimin e çdo hallke mbrojtjeje të personit të dhunuar.

BRUNILDA LABOVITI
Kjo që shohim ne është vetëm maja e ajsbergut. Varfëria ekstreme është një prej faktorëve. Thuhet që ndonjëherë nuk është kjo, por ky është një faktor shumë i rëndësishëm në aspektin socio-kulturor. Pjesa tjetër është rëndësia që ka familja, sepse po të shohim në rastin e Korçës, vetëm familje që nuk mund të konsiderohet. Përderisa merr përsipër që të bëhesh prind, aq më tepër një nënë, duhet të kesh përkushtimin maksimal ndaj fëmijëve. Çështja tjetër qëndron te strukturat: a i njohin familjet problematike realisht bashkia, minibashkia, komuna sepse në strukturë kanë punonjës socialë dhe psikologë.

A i njohin ato realisht terrenet: po themi sa e vështirë është të jesh një familje në një fshat të Korçës, çfarë problematikash ka etj? Të gjitha këto më pas sjellin edhe probleme të shëndetit mendor. Këta njerëz mund të quhen njerëz normalë në dukje, por ndërkohë mund të kenë vuajtur nga shëndeti mendor, nuk janë trajtuar, nuk janë diagnostikuar e më pas shkojnë në akte ekstreme. Këto struktura duhet të jenë më afër familjeve, të bëjnë punën e tyre, nuk duhet të qëndrojnë nëpër institucione, nuk duhet të qëndrojnë në zyrë. Një psikolog, një punonjës social që është në Bashkinë e Korçës po themi, duhet ta kishte evidentuar si familje problematike, sepse nëse nëna largohet për 6 muaj jashtë shtetit, qëndron babai me fëmijët, kush kujdeset për fëmijët e mitur?! Po ka shumë familje të tjera që e gjejmë këtë fenomen. Të drejtën e prindërimit mund të ta japë Zoti, por mund të ta heqë shteti sepse më mirë të institucionalizohen, sesa të qëndrojnë në një familje ku nuk e kanë të ardhmen e sigurt, ku nuk ushqehen.

Unë mendoj që këto struktura të ngritura nëpër njësitë vendore duhen forcuar, duhen shtuar dhe duhen punësuar profesionistë, sepse nuk mund të funksionojë me miq të njërit apo të tjetrit. Ka shumë punonjës socialë që paguhen pranë bashkive dhe minibashkive dhe rrinë në zyrë. Nuk e dinë që puna e tyre është në terren, të eksplorojnë në familjet problematike. Për të mos folur për policinë, gjyqësorin, por që ky fenomen nuk mund të analizohet nga psikologët. Ndërkohë, rastet e dhunës në familje janë bërë aq të rëndomta sa femrat bashkëjetojnë me dhunën dhe nuk e kanë problem. Është edhe çështje pavarësie. Në momentin që nuk krijohet një pavarësi ekonomike, të mos presim që një grua ta kundërshtojë dhunuesin.

RASTE TË BUJSHME TË KRIMIT BRENDA FAMILJES
 8 MARS 2015 Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Pal Isufaj vret për xhelozi gruan e më pas veten. Bashkëshortët u gjetën pa jetë në mjetin e tyre, pasi ishin nisur nga fshat Aliaj në rrethin e Malësisë së Madhe drejt Kishës së Laçit për të larguar “syrin e keq”.

 10 MARS 2015 Emiljano Rustemi qëllon me kallashnikov bashkëshorten dhe vjehrrën e më pas vret veten. Ngjarja u shënua në zonën e Laprakës në kryeqytet, ndërkohë që të pranishëm në momentin e krimit ishin edhe 3 fëmijët e tyre. Çifti ishte në proces divorci.

 27 SHTATOR 2015 Artan Petova, 37 vjeç vret me çiften e gjahut bashkëshorten e tij 35-vjeçare Zara Petova, si dhe vjehrrin Ismet Leka. Ngjarja ndodhi që Shijak, ndërsa pas krimit, autori vrau edhe veten.

 1 JANAR 2016 Afrim Uzo vret me armë zjarri bashkëshorten dhe më pas veten. Sipas policisë së Sarandës, 50-vjeçarja Lina Uzo e kishte denoncuar edhe më parë dhunën e të shoqit, ndërsa gjykata kishte lëshuar ndaj saj një urdhër mbrojtjeje.

 19 QERSHOR 2016 Pas një konflikti për motive të dobëta, 34- vjeçari Mikel Xhiko vret me thikë bashkëshorten e tij 29-vjeçare. Ngjarja u shënua në lagjen 17 të qytetit të Korçës. Akti makabër ndodhi në sy të fëmijëve, ndërsa Xhiko i dha fund edhe jetës së tij.

 25 KORRIK 2016 55-vjeçari Kovaç Goxhaj qëllon për vdekje me thikë bashkëshorten e tij Resmie Goxhaj. Ngjarja ndodhi në qytetin e Patosit, pas një debati të ashpër mes dy bashkëshortëve.

 28 GUSHT 2016 Pas një konflikti, 73-vjeçari Veli Dërvishi vret me sëpatë bashkëshorten 68-vjeçare, Shazivare Dërvishi. Ngjarja u shënua në Golem të Durrësit, ndërsa më pas autori u vetëdorëzua në polici.

 22 TETOR 2016 Kasem Lila nga fshati Ndroq vret me armën e gjahut bashkëshorten e tij si dhe plagos kunatën 40-vjeçare. Sipas fqinjëve, autori prej kohësh vuante nga depresioni.

 1 DHJETOR 2016 57-vjeçari Ruzhdi Luzi, nga Driza e Kuçovës vret me thikë bashkëshorten e tij, Manjola Luzi. 49-vjeçarja nuk iu rezistoi dot plagëve të marra, ndërkohë që tre fëmijët e çiftit ishin në banesë në momentin që ndodhi ngjarja.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb