TIRANË

Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Kroacia, është mbajtur një aktivitet në Tiranë nga ku janë dhënë mesazhe të rëndësishme edhe për Shqipërinë.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca theksoi se miratimi i reformës zgjedhore në Shqipëri është me rëndësi për hapjen e negociatave. Ai deklaroi se vijimi i reformave është i domosdoshëm, ndërsa e cilësoi historike marrjen e Presidencës së BE nga Kroacia.

“Në krye të axhendës së integrimit në BE-së duhet të jenë vazhdimësia e ngritjes së institucioneve kyçe të reja gjyqësore, po ashtu dhe Gjykata Kushtetuese plotësisht funksionale si dhe miratimi i ligjeve në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave si dhe plotësimi i Reformës Zgjedhore bashkë me respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, tha ai.

Në vijim, Soreca shtoi se “kështu ne jemi shumë të kënaqur që kemi patur arritje në këtë drejtim. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Oliver Varhelyi ishte në Tiranë për të inkurajuar të gjitha palët që të arrijnë marrëveshje para samitit të marsit dhe për këtë arsye duhet dialog konstruktiv ndërmjet partive politike dhe gatishmëria për t’u bërë bashkë për të mirën dhe interesin e të gjithë shqiptarëve. Kjo është çështje kyçe, thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.

“Nuk ka mbetur shumë kohë për të arritur ata gurë të tjerë kilometrikë që duhen në këtë pranverë. Do të ishte gabim për Shqipërinë në rast se nuk fokusohej për të bërë gjithçka që mund të bëjë Shqipëria si vend gjatë muajve në vijim për t’u prezantuar plotësisht dhe përgatitur për pikën tjetër të takimit”, tha ai.

Në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit,  Soreca tha se me datën 17 shkurt në Bruksel mbahet konferenca e donatorëve.

“Dhe pas tërmetit të tmerrshëm të nëntorit, ju e dini që Komisioni Europian do të organizojë një konferencë donatorësh më datën 17 shkurt në Bruksel. Bashkimi Europian do të punojë dhe vazhdon të punojë me Bankën Botërore dhe OKB për të përpiluar atë që quhet raporti i vlerësimit të nevojave pas tërmetit duke sjellë dhe bërë bashkë këtu ekspertët më të mirë të huaj, ndërkombëtarë dhe europianë dhe ky raport i vlerësimit të nevojave është i rëndësishme dhe do të sjellë besueshmëri dhe besim te të gjithë donatorët për rindërtimin e zonave në Shqipëri”, tha ai.

Gjithashtu Soreca tha se: “Duke pasur të gjitha këto gjëra parasysh këtu në këtë presidencë kemi një mundësi që Kroacia si partner ta drejtojë të gjithë punën në mënyrë efikase dhe të suksesshme përpara”.

“Zgjerimi i BE në vitin 2013, duke vënë në familjen europiane Kroacinë vërtetoi që në rajon me punë me vendosmëri me kurajo politike anëtarësimi në BE është i mundur dhe Kroacia ishte pioniere duke treguar një mënyrë të prekshme se e ardhmja Ballkanit Perëndimor në BE si e tërë si rajon mbetet përparësi për të gjithë ne. Dhe në një kohë kur neve fatkeqësisht do të humbasim një shtet anëtar, arritjet e Kroacisë gjatë 10 vjetëve të fundit vërtetuan se anëtarësimi në BE sjell zhvillim të mëtejshëm ekonomik, mbrojtje sociale, ndikim dhe influencë politike mbi vendimet që merren në vendet tona në Europë dhe në botë. E për më tepër nuk duhet të harrojmë kurrë se ideja evropiane lindi më shumë se 60 vite më parë me objektivin për të bërë të pamundur luftërat dhe konfliktet sërish në të ardhmen dhe lufta e fundit mizore në kontinentin europian ka ndodhur këtu në Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është garanci që kjo lloj gjëje i përket së shkuarës”, tha Soreca.

“Anëtarësimi në BE është ende sot spiranca për paqen në kontinent. Ne dëshirojmë t’i urojmë Koacisë suksese për këtë presidencë të parë historike për këtë shtet anëtar të BE-së”, përfundoi Soreca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb