Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas mbledhjes me koalicionin qeveritar, tregoi se me partnerët e koalicionit kanë unifikuar qëndrimin që zgjedhjet e reja të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024, pavarësisht kërkesave dhe insistimeve nga opozita.

I pyetur rreth propozimit francez, Kovaçevski tha se nuk do ta komentojnë derisa të miratohet në Bullgari.

“Ndjekim zhvillimin e ngjarjeve në Republikën e Bullgarisë, nëse atje ky propozim miratohet, dhe pasi të miratohet, kur të dorëzohet zyrtarisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut, atëherë normalisht që do të jetë objekt i analizave në detaje dhe do të shpërndahet me institucionet në shtet”, deklaroi mes tjerash Kovaçevski.

Takimi i partnerëve të koalicionit erdhi menjëherë një ditë pasi u mbajt mbrëmë protesta nga partia opozitare OBRM-PDUKM për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Mësohet se Franca ka përgatitur një propozim për zgjidhjen e grindjes mes Shkupit dhe Sofjes duke ngjallur shpresa se deri në fund të muajit mund të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE.

Propozimin e Parisit për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në negociatat për anëtarësimin, për të cilin flasin të gjithë, deri tani nuk e ka parë askush.

Jo zyrtarisht thuhet se ai parashikon që kërkesat e palës bullgare të përfshihen në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja të jetë garantuese për realizimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb