TIRANË – Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ngritur shqetësimin për dinamikat e reja të krimit, duke theksuar se zhvillimi i teknologjisë, digjitalizimi dhe përdorimi i kriptomonedhave kanë krijuar mundësi të reja për grupet kriminale, veçanërisht në pastrimin e parave dhe bashkëpunimin përtej kufijve.

Gjatë fjalës së tij, Çela u shpreh se krimi transnacional po bëhet gjithnjë e më kompleks dhe se institucionet ligjzbatuese duhet të përshtatin strategjitë dhe kapacitetet e tyre me zhvillimet e shpejta teknologjike.

“Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Bota po ndryshon shpejt dhe kështu edhe krimi. Ndryshe nga krimi tradicional, kemi dinamika të reja në krimin transnacional. Krimi kibernetik, përdorimi i teknologjisë dhe krimet me karakter transnacional na krijojnë nevojën që të rrisim kapacitetet njerëzore”, deklaroi Çela.

Sipas tij, grupet kriminale po shfrytëzojnë mundësitë që ofron teknologjia për të bashkëpunuar në nivel ndërkombëtar, ndërsa kriptomonedhat dhe mjetet digjitale mund të përdoren edhe për fshehjen e burimit të parave.

Ai theksoi se lufta kundër krimit transnacional kërkon një qasje të koordinuar dhe afatgjatë, e cila të marrë parasysh zhvillimet teknologjike dhe karakterin global të rrjeteve kriminale.

“Kërkohet një strategji e qartë dhe vizionare, me një perspektivë globale për të luftuar krimin transnacional”, përfundoi kryeprokurori.

PJESË NGA FJALA E KRYEPROKURORIT ÇELA

Sfidat janë bërë më komplekse se më përpara. Bota po ndryshon shpejt dhe kështu edhe krimi. Ndryshe nga krimi tradicional kemi dinamika të reja në krimin transnacional. Krimi kibernetik gjithashtu dhe përdorimi i teknologjisë dhe krimet të anës transnacionale na krijojnë atë nevojën që të rrisim kapacitetet njerëzore. Gjithashtu ka një bashkëpunim midis kriminelëve në të gjithë botën, midis të gjithë mundësive që kanë nga digjitalizimi, përdorimi i kriptomonedhave, dhe rreziqet lidhur me sigurinë, gjithashtu dhe mundësitë që ju ka krijuar për pastrimin e parave. Prandaj ne duhet të ndryshojmë strategjitë tona lidhur me luftën kundër krimit. Progresi teknologjik po lëviz shumë shpejt, sa ne do të thotë që ne duhet të azhornohemi më shumë. Nuk ka kohë për ne dhe duhet t’i ndryshojmë strategjitë sa më shpejt të jetë e mundur. Duke parë pra që këto probleme janë bërë shumë të shpeshta, ne mund të kemi dhe kapacitete pak të limituara. Ne duhet të kemi bashkëpunim sa më të mirë kombëtar dhe ndërkombëtar midis strukturave tona. Duke qenë më afër me njëri-tjetrin si sot, për të shkëmbyer eksperienca dhe gjithashtu të rrisim përgjegjësitë e çdo institucioni për sigurinë tonë të përbashkët. Kërkohet një strategji e qartë dhe vizionare, me një perspektivë globale për të luftuar krimin transnacional. Me strategji që përfshin kapacitete njerëzore dhe teknologjike. Duhet të fokusohemi më shumë në komunikim të drejtpërdrejtë, duke rritur shpejtësinë e kërkesave që kemi me njëri-tjetrin dhe përgjigjeve. Gjithashtu duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për të krijuar ekipet e përbashkëta të hetimit. Siç kemi aplikuar pra në gjithë këto vite, dhe janë një pikë referimi për rrugën drejt të ardhmes. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një prioritet për Shqipërinë. Do t’ju jap një shembull…
Letërporositë që ne bëjmë janë dy herë më të larta se ato që neve na bëjnë partnerët tanë. Shqipëria ka qenë një… ka pasur një pjesë aktive, jo vetëm në pjesën e numrave me ekipet e përbashkëta të veprimit. Por edhe nga ana rajonale. Duke parë pra dhe pjesën e fondeve të limituara që ne kemi dhe punës së madhe që ne kemi bërë. Kemi pasur gjithashtu dhe ekipet e përbashkëta të veprimit me partnerët tanë në Amerikën Latine. Mendoj që ne kemi mundësinë dhe kapacitetin për të rritur performancën tonë në këtë pjesë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb