HAVANË– Të konsumosh Coca-Cola dhe të ndjekësh filmat më të fundit të ”Hollywood”-it është e mundur në Kuba, ku embargo, e vendosur nga amerikanët që prej vitit 1962, paraqiste shumë paradokse.

Ishte presidenti, John F. Kennedy, i cili mori vendimin në atë kohë për të shkëputur lidhjet tregtare me Kubën.

Të mërkurën, një tjetër president amerikan, Barack Obama njoftoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ishullin komunist dhe kërkoi fundin e embargos.

“Këto 50 vite kanë treguar se izolimi nuk ka funksionuar”, theksoi ai.

Riforcuar nga ligji Helms-Burton në vitin 1996, embargo mund të hiqet vetëm nga Kongresi, që do të dominohet, duke nisur që nga muaji janar, nga opozita republikane. Sipas qeverisë kubaneze, ky izolim tregtar dhe financiar i ka kushtuar ishullit deri tani të paktën 100 miliardë dollarë.

Por për ekonomistin kubanez, Pavel Vidal, nga Universiteti kolumbian i Calit, edhe pse embargoja për momentin ekziston, paqja do të ketë shumë shpejt një efekt pozitiv mbi ekonominë lokale.

“Ashtu si ndërmarrjet amerikane nuk mund të investojnë, të tjerët do ta bëjnë këtë duke marrë qëndrim në kuadër të heqjes së plotë në të ardhmen të embargos”, theksoi ai.

Që prej ditës së sotme, vizitorët e huaj janë mrekulluar duke zbuluar në supermarketet, restorantet dhe hotelet e ishullit, shishen e njohur të Coca-Colas.

Importuar kryesisht nga vendet e tjera latino-amerikane, këto shishe janë shitur 1,2 dollarë, më shumë se dyfishi i konkurrentëve të saj lokal “Tukola” apo “Tropicola”, preferuar nga kubanezët për shkak të çmimit të ulët.

Megjithatë, e pamundur të gjesh në farmaci medikamente të prodhuara në SHBA. As pagesa me karta amerikane krediti apo sisteme pagimi elektronik si “Paypal”.

Në të njëjtën kohë, udhëtarët që shkojnë në SHBA nuk mund të mbajnë prodhime kubaneze si rhum, kafe apo cigare, në valixhet e tyre, sepse dogana i konfiskon ato në aeroport, si të bëhej fjalë për drogë.
(ma.ar/afp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: