Publikohen kujtimet e panjohura të ish-të burgosurit politik, Gëzim Peshkëpia, me origjinë nga Gjirokastra dhe me banim në Gjermani, ku ai kujton dhe përshkruan me detaje dhe hollësira disa prej ngjarjeve dhe historive të bashkëvuajtësve të tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: profesor Ismail Farka, Shefqet Kau, Eqerem Kavaja, Shaban Reçi, Halil Laze, Seit Bathorja, etj., me të cilët ai kaloi vite të tëra gjatë vuajtjes së dënimit, si dhe hetuesit, oficerët, kapterrat dhe policët që shërbenin në ato “reparte riedukimi”.

“Seit Bathoren e thirrën jashtë në zyrat e komandës së burgut ku pasi i komunikuan lajmin e lirimit, pasi i kishte mbaruar dënimi, komandanti Sami Kamberi i tha: “Që tani o Seit, je i lirë. Meqë është vonë dhe nuk ka tren, do të përcjell deri në Ballsh që të flesh në hotel dhe nesër herët me trenin e parë të nisesh për në Tiranë. A ke ndonjë gjë për të thënë?” Zakonisht kjo gjë bëhej për të nxjerrë me grep formulën që e kërkonte rasti, ku i burgosuri politik që lirohej, duhej të përgjigjej: “I falemnderit Partisë që vuri dorën në zemër për mua”. Por Seiti nuk i nxorri nga goja atë fjalë, ai e shikoi komandantin në sy dhe i tha: “Kam një lutje zoti komandant, por nuk dij a do të ma plotësosh dot”. “Fol”, ia ktheu komandanti, dhe Seiti i tha: “Zoti komandant, po deshe më lejo që të rri edhe sot këtu në burg me shokët, se dua të bisedoj e të çmallem me ta”. Komandant Samiu me origjinë nga Peshkopia, u step, pasi kishte një jetë që merrej me atë punë dhe nuk i kishte bërë kurrë vaki, që ndonjë i dënuar t’i kërkonte që të rrinte në burg më shumë se sa dënimi që kishte”. Ngjarja e mësipërme është një copëz nga kujtimet e Gëzim Peshkëpisë, të cilat i përkasin periudhës kur ai vuante dënimin si “armik i popullit” në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Këtë ngjarje, të cilën Gëzimi e cilëson si një nga më interesantet e ciklit të kujtimeve të tij, (që mendon t’i titullojë: “Humor në burg”) ku ai ka përshkruar disa nga personazhet më të çuditëshm që ka njohur gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, ai na e ofroi ekskluzivisht për Memorie.al.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Kujtimet e Gëzim Peshkëpisë?

Kur e pyesnim për gjyqet shoqërore demaskuese ku Seiti kishte marrë pjesë si anëtar, ai tregonte: “Çfarë gjyqi mor burazer! Ajo është punë koti. Unë kam pas qenë zgjedh ndihmës gjyqtar. Kryetari vente dorën para gojës, demek se po folte në vesh të ndihmësve, e pastaj i drejtohesh sallës: Trupi gjykues vendosi…! Vallahi se e kisha thanë një llaf or byrazer. Vetëm një herë në fillim e hangra kur s’e dijsha hilen e kryetarit e i thashë: Urdhëro! Kurse ai ma priti: pësh-pësh-pësh dhe më tundi kokën. E pra ta dijsh me siguri se edhe kryetarit ja bijnë shkresën gati vetëm me e lexue, se edhe atij i’a bajnë të tjerët në vesh pësh-pësh!

Le po më doli dhe prokuroria e më thonte: jo fishekët kështu e jo ashtu. Hajde babë t’kallxoj arat! Rrij oj gocë, i thashë, se s’ke haber prej fishekëve ti! Fishekët kanë qenë për pushkë gjermane. Se kam pas unë njëzet lloj fishekësh! (Seitin e kishin dënuar edhe për armëmbajtje pa leje). Ama kam pas nja dy bumje inglizi, të verdha flori! I kishin provue më tha kryetari dhe kishin plas të dyja. S’mbasha mall të keq unë or byrazer. Me të thanë: një grusht flori, apo një kobure, cilën merr o Seit? – Koburen mre, ajo të shpëton nderën, të zbardh faqen! Paren s’e ha as qeni!

Kur iku Zogu, gjithë mileti u turr brenda në pallat e vodhën çfarë mundën. Edhe sot e kësaj dite gjen në Sauk e Bathore pjata biluri me kapelen e atëhershme. Kurse unë baj e merr pushkë. Çdo rrugë nga 6 copë i çojsha në pyll. Unë gjith jetën teme armë nëpër duer, e ata më dënojnë me armë me leje e Haxhihason (agjitacion) pa program (propogandë)! Gajle madhe fort! Shif more, këta kanë fut edhe këtë mbrenda! Seiti shtriu krahun e plagosur në drejtim të një devolliti. A vjen gja prej këtij që ngeli duke më thënë, se i hanë duert për punë?

Këtij jepi qyrkun në dorë, e hajt udhë e mbarë! Seiti preokupohesh për vajzën e tij 16 vjeçare se “kishte mendje të keqe”. Kam frikë se po më vret ndonji prej dëshmitarëve. Dylberja asht si çun, të merr gjak në vetull! Mbas një pauze shtonte: Si s’po e bijë Refin (Estref Kërçikun) xhanëm. Ai asht çapajev!” Seiti e kishte fjalën për Estrefin i cili ndër të tjera kishte thënë fjalë jo të mira për një nga udhëheqësit kryesor të Partisë.

Seiti ishte alarmuar, kur kishte dëgjuar akt-akuzën e Estrefit, prandaj më thoshte: “Vallahi, ishin llafe të randa fort. Pastaj qeshte hi, hi, hi, më tërhiqte veçan e duke më shtrënguar krahun fort më pëshpëriste. Vazhdonin qyfyret me “spec”. E sheh këtë, thonte Refi duke treguar Toninin. Ky ka qenë ordinanca i një prej anëtarëve kryesorë të Byrosë Politike. Ky e ka pa me sytë e vet filan minister, me me filan anëtar të Byrosë duke ba atë punë! Bile po s’besove pyet edhe Takun (Spartak Ngjelën) çunin e Kiço ministrit”.

Taku hynte në lojë dhe e qeshura jonë s’kishte të pushuar. Shpesh thonin: Nënat tona qajnë ditë e natë për ne, kurse këtu qeshet a thua se jemi në estradë. Ishim të profesioneve të ndryshme. Kishte inxhinierë, oficerë, profesorë, juristë, ekonomistë me një fjalë nga sfera të ndryshme.

Kishim dhe Halil Lazen (shkrimtar) por kishte dhe zanatçinj e deri analfabetë si Seiti që s’kishin haber fare nga politika. Në maj u ndamë nëpër kampe. Në fillim iku Seiti i lidhur përdore me Shabanin (Reçin) që ishte ende me rroba oficeri pa spaleta. Seiti ndihesh i pezmatuar sepse u nda nga shumë shokë. Mbas një jave u pamë përsëri në të njëjtin repart, por Seit i dëshpëruar mjaft që s’i kishin prurë Refin.

Kampi shtesë i burgut

Kampi i Ballshit të linte përshtypje, sepse kishte marrë pamje kantjeri. Po shtohesh një rrjesht kapanonesh. Shenjë e keqe kjo sipas të burgosurve të vjetër. Ndërtim donte të thoshte vazhdim i valës së arrestimeve. Fjalimet e diktatorit dhe klanit të tij ishin të ashpra e kërcënuese. Ata lëshonin rrufe mallkimi mbi armiqtë e çfarëdo ngjyre dhe bënin thirrje për forcimin e vigjilencës. Lufta e klasave po zhvillohej me një hov të paparë në të gjitha sfertat edhe brenda partisë. Seiti shëtiste sytë sa tek njëri e sa tek tjetri, për të peshkuar ndonjë shpresë sado të vogël, por më kot…!

Propaganda tensionohesh. Shqipëria do shpallesh Republikë Popullore Socialiste. Shpresa për amnisti tek të burgosurit nuk shuhesh. Të burgosurit ndaheshin në dy parti: optimistët dhe pesimistët. Seiti bënte pjesë tek militantët e flaktë të partisë së optimistëve. Të gjitha “lajmet” që grumbullonte vinte e ja thoshte Nexhos (Nexhmi Ballkës) e Shabës. Në qoftëse nuk i bëje qefin me ndonjë lajm apo koment pozitiv për një mundësi falje, ai të zemërohej seriozisht. Një mbrëmje po shëtisja me Shabën dhe Malin (Ismail Farkën). Ishte koha ndërmjet çajit të darkës dhe apelit të fundit të ditës.

Seiti po shëtiste me një nga ish-ministrat e Enver Hoxhës, ish anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës. Seiti e shikonte drejt e në sy dhe i tundte kokën në shenjë miratimi. Kjo shëtitje vazhdonte për afro një orë e gjysëm. Ndërkohë ra çanga dhe u krijua rrëmuja e zakonshme sepse secili kërkonte rrjeshtin e tij dhe shokun e apelit. Seiti u drejtua nga ne të tre. “Hë- i tha Ismaili-a kemi ndonjë gjë?” – Çfarë të kesh more, ja priti Seiti, vallahi baj habi se çfarë budallenjsh paskemi pasun në krye!

Se ç’më ngatërroi tarallaku: tapa, tapa, tapa (e kishte fjalën për etapa). Tashti që bahet Partia (donte të thoshte Shqipëria) socialiste! Ne do të lirohemi o byrazer, këtë di me ju thanë”. Shpesh e ngacmonin Seitin me kujtimet e kohës së Luftës. Ai i përshkruante ato me një sinqeritet me plot naivitet lavdëronte Bazin e Canes, Mustafa Gjinishin dhe Shyqyri Pezën. Kishte qënë prezent edhe në Konferencën e Pezës. Ja si shprehej ai për të: “Kush ja fuste m’pordhë Enverit or byrazer! Aty ju dëgjote fjala vetëm Abaz Kupit, ai ishte hem i gojës hem i gishtit”.

Seiti vullnetar në burg?

Ditët e javët rrokulliseshin. Çdo herë që Seiti kishte takim ishte epiqendra e të gjithë të burgosurve. Fjalët e tij komentoheshin, analizoheshin sikur të ishin të një filozofi sepse i kishte thënë Myslym Peza me të cilin familja e Seitit nuk i kishte prerë marrëdhëniet. Fjalët e Myslym Pezës merreshin për ekuivoke, pozita e tij si nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor merresh si e vërtetë.

Këtë e bënin dhe njerëz të zgjuar e intelektualë, të cilëve burgu u kishte hequr buonsensin. Më së fundi erdhi falja e shumë pritur për ish-partizanin (nga Kuvendi Popullor) dhe ngjau ajo që s’kish ngjarë ndonjëherë në burgjet e Shqipërisë, e ndoshta edhe më tej…!

Seitin e thirrën jashtë në zyrat e komandës. I komunikuan lajmin. Pastaj komandanti i burgut ja “thjeshtoi” përmbajtjen: Që tani o Seit je i lirë. Meqë është vonë e s’ka tren, do të përcjell deri në Ballsh që të flesh në hotel. Nesër herët, nisu me trenin e parë për Tiranë. A ke ndonjë gjë për të thënë? Zakonisht kjo pyetje bëhesh për të nxjerrë me grep formulën që kërkonte rasti:”I faleminderit Partisë, e cila vuri dorën në zemër…”! Seiti e shikoi komandantin në sy dhe i thotë: Kam një lutje shoku komandant por s’dij a do të ma plotësosh?

– Fol! – Shoku komandant, po deshe të lutem më lejo të rrij dhe sonte këtu në burg me shokët. Dua të bisedoj e të ndahem me ta. Komandanti Sami Kamberi me origjinë nga Peshkopia u step. Ai kishte një jetë që merresh me këto punë. Një gjë të tillë s’e kish dëgjuar ndonjëherë, megjithatë i tha: “Po të bëri vaki ndonjë gjë o Seit, a e di se unë mbaj përgjegjësi sidomos tani që je i lirë”!

Jo, zoti komandant, nuk do të bëjë kurgjë vaki se unë s’kam hasëm këtu”. Seiti duke qenë i lire, fjeti në burg atë natë! Shqipëria dhe jashtë burgut, ishte njësoj e rrethuar me tela. Kështu bëri emër në historinë e kampeve e burgjeve, ish-partizani me zemër të madhe, fshatari analfabet i dënuar për (…atë që s’e thonte dot) Agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor!/Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb