Nga Mitro Çela

Më 5 janar të vitit 1991 doli numëri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”. Në faqen e parë u botua lista e Këshillit Botues. Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo. Kryetar i Këshillit Preç Zogaj. Kryeredaktor Frrok Çupi.

Në muajt e parë, Teodor Keko shkruante me rendiment të lartë. Më vonë firma e tij nisi të rrallohet.

Pse vallë?

Ishte zgjedhur deputet në Maliq të Korçës. “Duhet të merrem me hallët e popullit,- ngrite supet Teodori!” Justifikim demode. Dori ishte deputet modern. Zbatonte fjalën e urtë popullore:

“ Kur nuk ngjitet në mal Muhameti, shkon mali tek Muhameti.”

Edhe Dorit I vinte sovrani në Tiranë!

Një ditë bëra një bisedë me Filip Çakulin:

-Na duhet firma e Dorit! Na zbukuron gazetën!

-Me lutje,- tha Filipi,- është vështirë të bëhet “zap” Teodori. Aftësija jonë është si ta bëjmë “rob” të gazetës me mjete demokratike. Unë kam këtë skenar:

-Thërrasim Dorin. E mbyllim me çelës në një zyrë. Mbi tavolinën e punës i lëmë letër, stilokalem dhe një dopjo raki. Me dorëzimin e artikullit, Dori merr edhe honorarin…I duhen paratë. Ka një grua për ta veshur dhe dy fëmijë për tu ushqyer…

Me idetë e Filipit hartova një kontratë. Thirra Dorin në zyrë. Duke firmosur mbi kontratë më tha:

-Me këtë firmë unë bëhem i “burgosuri” i gazetës! Bukuri! Kam vetëm një kërkesë: Honoraret le t’i marri Xhuli (gruaja)! Ajo i përdor për shtëpinë. Ti e di: Unë i lë paratë “peng” tek “Gota”, siç bënte Shvejku në Pragë, pa shkuar ushtar?!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: