Kukësi do të besojë deri në fund për të arritur mbijetesën këtë sezon. Rezultatet e javëve të fundit kanë rritur besimin se mund t’ia dalin, edhe pse për hir të së vërtetës janë ende ekipi më i rrezikuar. Thuhet kështu, pasi rivali më i afërt për t’u arritur është gjashtë pikë larg, në një kohë kur në lojë kanë mbetur edhe 24 të tilla. Gjithsesi, për aq kohë sa matematika dhe shpresat i mbajnë në lojë, ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli do t’i bëjë hyzmetin deri në fund. Jo më kot, edhe drejtuesit po mundohen t’i qëndrojnë afër me premio në rast fitoresh, pasi ende mendojnë ende ka shanse.

MOMENTI I MIRË – Duket si ironi fati, por ky është momenti më i mirë që po kalon Kukësi këtë sezon. Këtë e thonë shifrat, të cilat ngjallin besim për vazhdimësinë deri në fund. Tri fitore radhazi Kukësi nuk i kishte bërë për asnjë moment këtë edicion, edhe pse duhet pranuar se një triumf ka ardhur në Kupë, në atë fitore kundër Partizanit. Gjithsesi, rilindja e Kukësit nisi nga ai rezultat. Për të vijuar me tri ndeshjet radhazi pa pësuar, që sërish Kukësi nuk i pati provuar asnjëherë këtë edicion. Dihej që pësimi i golave ka qenë “thembra e Akilit” deri më tani, ndaj edhe rezultatet kanë munguar. Me pak fjalë, Kukësi është duke kaluar momentin më të mirë, vetëm se tani i duhet të vazhdojnë me këtë ritëm deri në fund.

NDALOHEN GABIMET – Asnjëherë nuk është vonë për të reaguar, por Kukësi nuk ka më luksin të bëjë gabime. Ndryshe nga rivalët e tjerë mbi ta që mund të bëjnë ndonjë hap fals, në kampin blu kjo gjë është e ndaluar nëse duan të shpëtojnë sezonin. Këtë javë luajnë në transfertë me kryesuesit e Egnatias, ku mjafton një humbje për të venitur shpresat për mbijetesë dhe zhbërë gjithë ndeshjet e mira.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: