TIRANE- 18 biblioteka publike dhe universitare në mbarë vendin janë pasuruar sot me 6 mijë ekzemplarë të rinj, në kuadër të nismës më të re të Ministrisë së Kulturës, që është dhurimi i Fondit të Librit.

Në ceremoninë e organizuar sot me drejtuesit e bibliotekave kryesore publike dhe ato universitare, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vlerësoi këtë nisëm, ndërsa theksoi se ” ky është një premtim i shpallur në shtator të 2014 dhe që përmbushet plotësisht ditën e sotme”.

Dhurimi i Fondit të Librit në dobi të bibliotekave më të rëndësishme publike dhe atyre universitare është nisma më e re e shpallur nga Ministria e Kulturës në vijim të politikave të saj për nxitjen e leximit, zgjerimin e audiencave letrare, nxitjen e krijimtarisë së zhanreve letrare dhe përhapjes masive të kulturës së librit.

Janë afro 6 mijë ekzemplarë me një shumë rreth 10 milionë lekë, të cilat iu dhuruan 18 bibliotekave në mbarë vendin, bazuar në kontributin dhe profesionalizmin që kanë treguar në dobi të komunitetit të lexuesve lokalë për të nxitur leximin dhe kulturën e librit nëpër qytetet e Shqipërisë.

Në aktivitetin e organizuar në sallën e eventeve të ministrisë së Kulturës, bibliotekat publike u përfaqësuan në nivel drejtorësh dhe ato universitare në nivel rektori ose zv/rektori.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: