Rusia njoftoi për dëbimin e 38 diplomatëve nga dy shtete të Bashkimit Evropian, në kundërpërgjigje të hapave të ngjashëm të ndërmarra ndaj diplomatëve rusë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini.

Ministria e Jashtme ruse tha përmes një deklarate më 19 prill se ka shpallur 21 diplomatë nga Belgjika dhe 15 nga Holanda si “persona non grata” (persona të padëshiruar), dhe u ka dhënë dy javë afat që të largohen nga shteti.

Ministria po ashtu tha se ka thirrur në bisedë ambasadorin e Luksemburgut në Moskë, për ta paralajmëruar atë se Rusia mund të marrë vendim për masa reciproke, pasi ky shtet evropian së fundmi ka dëbuar diplomatë rusë.

Shtetet evropiane kanë dëbuar mbi 300 diplomatë rusë qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Rusia është kundërpërgjigjur javën e fundit duke dëbuar diplomatë të Republikës Çeke, Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian, si dhe diplomatë belgë dhe holandezë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb