TIRANE– Studentët që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë, kanë ende shanse për të qënë pjesë Universiteteve publike ose private. Prej datës 1 tetor kanë nisur regjistrimet në faza 48-orëshe për të gjitha kuotat e paplotësuara. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka bërë publike hapat që duhet të ndjekin studentët për t’u shpallur fitues.

“Periudha 1 tetor deri në 14 tetor është e ndarë në 7 faza 48-orëshe. Secili aplikant ndjek ecurinë e procesit të shpalljes fitues të tij në njërin apo disa programe studimi nga ato që ka përzgjedhur në formularin e aplikimit. Kur ai është shpallur fitues, duhet të paraqitet pranë IAL-së ku dëshiron të regjistrohet, brenda afatit 48-orësh. Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda afatit 48-orësh, ai humbet të drejtën e regjistrimit, në ato programe studimi ku ishte shpalllur fitues në atë fazë. Për programet e studimit të ofruara nga universitetet private të cilat nuk parashikojnë kritere shtesë, nuk aplikohet ndarja në faza 48-orëshe”, thuhet në udhëzimin e MASR.

Në rast se pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Këta fitues të rinj mund të regjistrohen vetëm në fazën pasardhëse. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë në datën 14 tetor 2017. Për programet e studimit me kuota të paplotësuara të cilat nuk ka aplikantë në pritje, do të rikthehen në garë aplikantët e shpallur fitues në fazat paraardhëse, të cilët nuk rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi. Rikthimi në garë kryhet sipas listës së renditjes së aplikantëve për raundin e dytë.

Regjistrimi i kandidatit, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarive mësimore nga data 10 deri më 14 tetor, sipas dokumentit të dorëzuar në momentin e aplikimit. Kuotat e paplotësuara, plotësohen me kandidatët e renditur sipas pikëve të fituara mbas vijës së kuqe, brenda datës 24 tetor 2017.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb