Nga: FATOS TARIFA*
Kur duket se projektligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, i hartuar mbi bazën e një diskutimi të gjerë në radhët e pjesës më të madhe të profesoratit të universiteteve shqiptare e të aktorëve të tjerë të interesuar dhe i mbështetur e i vlerësuar edhe nga ekspertë të huaj, do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, na shfaqet sërish “Forumi për Liri Akademike”, me një peticion, të firmosur nga 200 pedagogë, që i kërkojnë Kuvendit të mos e miratojë këtë projektligj. Ky “forum”, i krijuar rreth një vit e gjysmë më parë, kishte atëherë si qëllim të pengonte qysh në përpjekjet e para reformimin e sistemit tonë universitar. Sot, kur duket se “forumistët” dhe kauza që ata përfaqësojnë e kanë humbur pa lavdi betejën e tyre, shfaqen edhe një herë, të mobilizuar e të regjimentuar si “shpresa” e vetme apo e fundit për mbrojtjen e “lirive akademike”. 200 pedagogë, kolegë të Universitetit të Tiranës dhe, ndoshta, edhe të ndonjë universiteti tjetër, nuk janë pak. Ata janë, sidoqoftë, një pakicë mjaft e vogël e klasës së profesoratit e të intelektualëve shqiptarë, të cilët, vazhdimisht, në çështjet themelore të tij, e kanë mbështetur dhe e mbështesin këtë projektligj dhe transformimin e sistemit të arsimit të lartë në vendin tonë që do të realizojë miratimi dhe zbatimi i tij.
Emërtimi i forumit në fjalë është, sigurisht, mjaft i gjetur: “Forumi për liri akademike”. Kush, në fund të fundit, mund të jetë kundër lirive dhe të drejtave akademike? Por, a janë vallë kërkesat e këtij forumi, një mbrojtje e lirive akademike? Këto liri nuk janë abstrakte; ato janë të mira individuale e kolektive të domosdoshme për mirëqenien, dinjitetin, dhe realizimin e misionit e të aspiratave akademike për çdo individ të angazhuar në sipërmarrjen e madhe e të vështirë të arsimit të lartë e të shkencës. Forumi në fjalë, as përfaqëson interesat e masës së gjerë të profesoratit e të klasës pedagogjike shqiptare, dhe as mundet të mbrojë liritë e tyre akademike me një platformë që, paradoksalisht, është e orientuar kundër lirisë së vërtetë akademike. Sepse, projektligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk i cenon, por i mbron edhe më tej si autonominë e universiteteve — në radhë të parë të drejtën e tyre për t’u vetadministruar e për të emëruar, mbi bazën e meritave akademike, stafet e tyre pedagogjike e kërkimore — ashtu edhe lirinë akademike për këto stafe — në radhë të parë parimin më esencial të kësaj lirie: lirinë e shprehjes, të argumentit e të debatit. Këto janë, në thelb, dy kushtet e lirisë akademike, siç e kuptonte atë Bertrand Russell, një ndër mendjet më të shquara të shekullit të kaluar, dhe siç pranohet, thuajse në mënyrë të pakontestuar, kudo në botën akademike sot.
Për Russell-in, liria akademike nënkupton, esencialisht, dy gjëra: (a) autonominë kolektive (ose institucionale) të universiteteve dhe (b) autonominë individuale si liri e fjalës. E para ka të bëjë me autonominë e universiteteve për të administruar e menaxhuar vetë veprimtarinë e tyre. E dyta ka të bëjë me shkallën e lirisë me të cilën pedagogu shpreh cilatdo opinione që ai vetë vlerëson më shumë, për sa kohë që ai kryen misionin e tij si edukator. Anëtarët e “Forumit për Liri Akademike” kurrë, në asnjë rast, gjatë këtyre 18 muajve që nga krijimi i tyre si një “forum”, nuk kanë demonstruar në mënyrë bindëse se ku dhe si konkretisht cenohen nga ky projektligj autonomia e universiteteve dhe liria akademike. Kontestimet e tyre kanë qenë fjalë dhe vetëm fjalë. Dhe, po kështu, fjalë e vetëm fjalë — dhe një kundërshtim kokëfortë e narcisist — ishin edhe qëndrimi i disa kolegëve të mi të Universitetit e Tiranës përpara Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pak ditë më parë, të cilët, në emër të forumit të sipërpërmendur, provuan edhe një herë (për të dështuar sërish), që ta pengojnë miratimin e këtij projektligji në Kuvend.
Por si nuk thonë një gjë të vetme dhe si nuk sjellin një argument të ri në mbrojte të qëndrimeve të tyre këta “misionarë” mbrojtës të “lirisë akademike”! Artan Fuga, kreu i tyre, përsërit për të satën herë “shqetësimin” se, me ligjin e ri, “buxhetet publike shkojnë tek operatorët privatë” (të cilët, deri dje, ai vetë i ka mjelë me të dyja duart), kur, në fakt, asnjë nen i këtij projektligji nuk lë shteg për një aludim të tillë. Është i njëjti marifet i vjetër për të krijuar panik dhe reagim, në radhë të parë mes studentëve e pedagogëve të universiteteve shtetërore dhe, po kështu, në “familjet shqiptare”, të cilave Fuga duket ka marrë përsipër t’u dalë “në mbrojtje”. Ky individ të lë përshtypjen se është kaq i shkëputur prej realitetit tonë dhe zhvillimeve më të reja në këtë fushë, sa nuk ka dijeni për atë për të cilën do të duhej të ishte vërtet i interesuar. Në një prononcim publik mbi këtë çështje, disa ditë më parë, kryeministri i vendit, z. Rama, deklaroi prerë se asnjë fond publik nuk do të shkojë për universitetet private.
Zyhdi Dervishi, nga ana e tij, edhe pse krejt i panjohur me sisteme universitare të huaja, ofron zgjidhjen e tij “origjinale” për të “ecur në dy linja”, për të pasur, pra, “universitete publike pastërtisht publike dhe universitete private pastërtisht private”. Unë nuk besoj që ky veteran i arsimit të lartë të mos e dijë se, edhe universitetet private i shërbejnë së mirës publike dhe, si të tilla, janë universitete publike dhe rregullohen me të njëjtin ligj për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Mark Marku, gjithashtu, hedh thjesht një tjetër shashkë kur pohon se “ky ligj nuk është për universitetet” dhe dezinformon publikun kur thotë se “ekspertët e huaj e kanë konsideruar problematik projektligjin”. Sa shumë është spekuluar e spekulohet me “argumente” të tilla si, “ndërkombëtarët” apo “ekspertët e huaj”! A thua se të gjithë “ekspertët e huaj” janë ai, ajo, ose ata individë që njeh Marku? A nuk janë të tillë edhe ata personalitete akademike të njohur në Britaninë e Madhe apo në Itali, të cilët e kanë studiuar nga afër, si oponentë zyrtarë, këtë projektligj, dhe janë shprehur pozitivisht për të? A nuk është “ekspert” Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Europian, i cili, gjithashtu, këto ditë, e vlerësoi pozitivisht projektligjin e propozuar? Dhe, a nuk jemi, të gjithë ne, qindra e mijëra profesorë e pedagogë të universiteteve shqiptare, si individë dhe si bashkësi, ekspertë po aq të mirë sa edhe ata pak individë që e kundërshtojnë këtë projektligj në emër të një forumi që mbron “lirinë akademike”?
Nuk është e para herë që reforma të mëdha janë ndeshur me kundërshtime të mëdha, të cilat, siç thoshte Ajnshtajni, vijnë kryesisht nga njerëz mediokër. Unë bashkohem me mendimin se kundërshtimet dhe rezistenca ndaj reformës në arsimin e lartë dhe ndaj projektligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë, në fakt, qëndrime kundërshtuese ndaj konkurrencës në këto fusha. Dhe konkurrencës i tremben vetëm ata që nuk i bëjnë dot ballë asaj, ata që, në konkurrencë me të tjerët, i tremben humbjes së tyre e të privilegjeve të tyre.
* Shën. i Red.: “GSH” mbetet e hapur për botimin e replikave eventuale të profesorëve të përmendur në artikullin e z. Tarifa

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: