Në 24 shkurt shënohet një vit nga nisja e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. E ndërsa muajt kanë kaluar, kur pritet që kjo luftë të përfundojë?!

Kjo është tema e cila u diskutua mbrëmjen e kësaj të mërkure në “Open” në News24.

Avenir Peka, Ekspert për çështjet e sigurisë, u shpreh se mendon se kjo luftë mund ta ketë fundit jo përtej verës. Ai tha se zgjidhja e luftës bëhet mes Uashingtonit dhe Pekinit, ndërsa shtoi se pritja e Kinës në një konferencë për shtyp ditën e nesërme, për të prezantuar një plan paqeje, pritet me interes.

“Nëse do bëja një parashikim, unë besoj jo përtej verës. Presidenti kinez do të dalë me një plan paqeje, dhe pas prezantimit të planit do udhëtojë për në Moskë. Fakti i futjes së Kinës në lojë tregon shumë sepse nëse ka një vend që ka peshë mbi Rusinë, është Kina. Ditët e fundit vihet re një shtim zëri që municionet po mbarojnë, ndihmat kanë një kufi. Paralelisht me përgatiten për një ofensivë të madhe, po punohet nën tavolinë për një mundësi tjetër.

Besoj se administrata do ketë pak më të vështirë për ta shitur ndihmën e pakufishme ndaj Ukrainës. Strategjia e Rusisë është që të shkatërrojë Ukrainën, deri sa të lodhet Perëndimi.

Nuk mund të vazhdojë pafund kjo luftë. Incentiva e të gjitha palëve, edhe faktit që Rusia nuk arriti atë që deshi që  në fillim, të dyja palët nuk kanë arritur objektivat e fillimit të luftës, dhe do vijë një moment që do përfundojë… zgjidhja e luftës bëhet mes Uashingtonit dhe Pekinit, as në Moskë dhe askund tjetër”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: