Deputetja në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar pas takimit të Hashim Thaçit me përfaqësuesit në Luginë e Preshevës.

Kusari shkruan se presidentit të Kosovës nuk i mjafton loja e ndyrë që po luan me qytetarët e Kosovës, por këtë lojë tani e ka zhvendosur në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Sipas saj, kjo manovër e Hashim Thaçit duhet të ndalet urgjentisht.

Postimi i plotë i deputetes:
Parodia e Presidentit në rolin e “Babës” së kombit

Presidentit të Republikës nuk i mjafton që luan lojëra të ndyra me qytetarët e Republikës së Kosovës. Tash në lojën e tij të ndyrë i futi edhe përfaqësuesit legjitim të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit.
Presidentin Thaçi duhet ta ndalin deputetët e Kuvendit të Republikës sa më parë, përmes dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të krejt materialeve ku dokumentohet se Presidenti paraqet rrezik kombëtar dhe cenon seriozisht integritetin territorial të shtetit të pavarur dhe të njohur me kufinjët e saj aktual.

Partitë politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, duhet të tejkalojnë një herë të vetme çfarëdo agjende ditore dhe personale dhe të fokusohen në pikën kryesore të situatës aktuale: Ruajtjen e kufijve aktual dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.

Se tërë kjo është një parodi e keqe e pranon vetë Presidenti, në ditën kur i shkel këmba e Vuçiçit deri në Drenicë, Thaçi ikën në Durrës, ndërsa sot e pranon se këtij vetë as që mund t’i shkel këmba në Luginë. Është tragjiko/komike deri ku ka arritur kjo lojë e Presidentit tonë me krejt funksionimin e shtetit të Kosovës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb