NË SHËNJESTËR/Pjesa e Dytë
Por kush po e eliminonte ushtrinë e Aldo Bares, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti, ish-Specialit të RENEA-s që pas eliminimit të vëllait të tij Ramadan Shkurti korrikun e vitit 1997 në Lushnjë, do të niste një sagë të gjatë gjaku?

Djali i ish-kryetarit të degës së Brendshme në Lushnjë, që nga një efektiv inteligjent i policisë që i shërbente shtetit, u kthye pas ekzekutimit makabër të të vëllait, në terrorin e Lushnjës, ku thuhet se përplasjet e tij të para me bandën e Artur Dajës, nisin që në vitin 1995, kur ky i fundit rivalizonte me bandën e Loshit të Karbunarës.

Është ende e paqartë se si Artur Daja nisi konfliktin me Alfred Shkurtin, i cili ndërkohë që kishte lënë uniformën e policisë kishte emigruar në Itali, aty ku thuhet se prishja e pazareve, mund të ketë sjellë edhe përplasjen e përgjakshme që do të pasonte tashmë midis dy ‘gangove’ që luftonin për të zotëruar Lushnjën, luftë e cila deri në ngjarjet e vitit 1997 kishte prodhuar disa viktima, por ku ajo që do të kulmonte me betimin e Alfred Shkurtit për të marrë hak do të ishte vrasja nga Artur Daja e vëllait të tij, Ramadan Shkurti.

Artur Daja thuhet se nuk u mjaftua vetëm me ekzekutimin e këtij të fundit dhe të atentatorëve ndaj tij, por i përdhosi publikisht kufomat duke i mbajtur peng trupat e viktimave dhe duke kryer me to veprime të turpshme aq sa edhe policia e kishte të pamundur të ndërhynte. Ishte ky momenti dhe kjo ngjarje që e ktheu Aldo Baren në një përbindësh, i cili menjëherë krijoi ushtrinë e tij dhe atë që më pas do të njihej si “Komisariati nr. 2” në Lushnjë, që ishte vendosur dhe bënte karshillëk fare pranë komisariatit të policisë në qytet. Një garazh famëkeq që u kthye në garnizonin e armatosur të bandës, nga ku Aldo Bare jepte urdhrat dhe ku torturoheshin rivalët e tij në qytet, komisariat që kishte zëvendësuar të vërtetë komisariatin e policisë.

Aty ku Aldo Bare u betua se nuk do të dilte pa marrë plotësisht hakun e të vëllait të përçudnuar nga Artur Daja dhe banda e tij, betim, të cilin e mbajti në jetë deri në vitin 2009, kohë kur u arrestua në Turqi.

Arrestimi i dha mundësi edhe grupeve rivale, të riorganizoheshin dhe të nisnin revanshin ndaj mbetjeve të bandës së tij që kishin ngelur jashtë qelive të burgut.

Një ndër këta rivalë që tashmë u ishte qepur nga pas ushtarëve dhe familjarëve të Aldo Bares, është edhe Laert Haxhiu, i afërmi i Bledar Haxhiut, të ekzekutuar nga banda e Aldo Bares në vitin 1998.

Ai i cili thuhet se dorëzoi trupin e mikut të tij Artur Daja te banda e Aldo Bares kundrejt një marrëveshje me këtë të fundit, por që u ekzekutua në pritë prej ushtarëve të dërguar prej tij, por ku një ngjarje tjetër do të shërbente si pretekst që Laert Haxhiu të niste nga puna për eliminimin e bandës së Lushnjës.

Laert Haxhiu
Laert Haxhiu

Sipas dinamikës së ngjarjeve, hakmarrja thuhet se nis zanafillën pasi banda e Aldo Bares, dogji shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut, xhaxhait të Laert Haxhiut, por hakmarrja e bandës së Aldo Bares ndaj fisit Haxhiu nuk do të ndalej këtu.

Në janar të vitit 2005, anëtarë të kësaj bande vrasin Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit, xhaxhait të Laert Haxhiut. Do të ishte kjo vrasje, nisja e një revanshi të përgjakshëm tashmë nga Laert Haxhiu, ku në qendër të breshërive të plumbave tanimë do të ishin anëtarë të bandës së Aldo Bares. I pari që do të ekzekutohej do të ishte Gerti Lala, anëtar i bandës së Lushnjës, që mbante pseudonimin “Iriqi”, i cili u ekzekutua më 8.07.2010, ku të arrestuar në lidhje me këtë krim, ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga Gjykata e Rrethit Vlorë

Por ky do të ishte vetëm fillimi i një serie të gjatë dhe tragjike të aksioneve që Laert Haxhiu dhe grupi i tij do të ndërmerrnin ndaj anëtarëve të bandës së Aldo Bares.

Ajo që do të cilësohej si kapitulli më i përgjakshëm i gjithë kësaj dhune të pambarimtë gjaku, do të ishte “Masakra e Lushnjës”, ndodhur më 11 Tetor 2017, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit”, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe një kalimtar i rastit, por ku objektivi i vërtetë i atentatit, ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili, edhe më herët në vitin 2016 i  kishte shpëtuar një tjetër atentati, ku thuhet se organizatori ishte i njëjti emër, Laert Haxhiu.

Masakra e Lushnjës
Sipas pamjeve filmike në mjetin me targa AA 726 PC kanë qenë gjithsej 3 persona, dy që kanë gjuajtur dhe i treti që ka drejtuar mjetin. Në orën 18:06 vihet re që mjeti i cili bën manovrën e parkimit nuk parkon, por niset me shpejtësi në drejtim të vendit të ngjarjes. Në momentin që mjeti shfaqet që të ndalojë, shihet që shtetasi Zamir Latifi rrëzohet në tokë dhe mbi të kalon një person që gjuan me breshëri mbi të. Nga pamjet filmike dallohet që nga mjeti zbret vetëm drejtuesi i saj, i cili është një person i gjatë dhe i dobët, ndërsa dy personat e tjerë rezultojnë që të kenë zbritur më parë.

Pas këtij momenti shihet që personi që qëlloi mbi Zamir Latifin kalon përpara mjetit dhe hipën në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa personi i dytë vjen nga pas mjetit dhe hipën në anën e pasme pas shoferit. Nga këqyrja e kësaj kamere ka rezultuar se para dhe pas mjetit të autorëve me shpejtësi largohen edhe dy mjete të tjera të cilat kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe pikërisht një ‘Benz C Class’ gri dhe një ‘Ford Focus’ i bardhë dhe me logo jeshile. Duke parë që mjetet shkojnë me shpejtësi para dhe pas mjetit të autorëve lindin dyshime se këto dy mjete kanë luajtur rolin e ndihmësve të autorëve.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, tre persona të cilët qëlluan pa mëshirë në drejtim të lokalit ku ndodheshin shënjestrat e tyre, ishin Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.

Sajmo Xhelili, që mrekullisht i shpëtoi këtij atentati, tregoi për hetuesit se ai dhe miqtë e tij kishin rënë edhe në vitin 2016 pre e një atentati të organizuar nga Laert Haxhiu, ku ai vetë dhe Xhulio Shkurti kishin mbetur të plagosur.

Ndërsa Zamir Latifi edhe pse shpëtoi pa lëndime në atentatin e parë, plumbat nuk i kursyen jetën në atentatin e dytë.

Sajmo Xhelili

“Më datë 11.10.2017 kam qenë nën shoqërinë e shtetasve Jurgen Hoxha, Zamir Latifi dhe Marjus Xhepexhiu, Kristian Shkurti dhe Xhulio Shkurti. Rreth orës 18:06 kam vënë re që disa metra larg u afrua një mjet ‘Benz’ ngjyrë gri i cili u parkua. Nga mjeti ka zbritur një person rreth 180-185 cm i gjatë me trup të mbushur dhe i maskuar, i cili ka ardhur drejt nesh dhe ka nisur të qëllonte me armë automatike. Kam arritur ta njoh këtë person dhe bëhet fjalë për Laert Haxhiun. Gjithashtu kam njohur pasagjerin që ndodhej në mjet, i cili quhet Orges Bilbili, ndërsa personin që qëndronte në sedilen e pasme nuk e kam njohur, por kam mësuar se ka qenë Anterio Kaloshi. Unë nuk kam pasur armë zjarri me vete. Mendoj se armën e zjarrit e ka pasur me vete kushëriri im Zamir Latifi. Dua të sqaroj se unë së bashku me Zamir Latifin dhe Xhulio Shkurtin jemi qëlluar dhe plagosur me armë zjarri në muajin shtator të vitit 2016 nga Laert Haxhiu dhe nga një tjetër që emrin nuk ia mbaj mend, por me mbiemrin Arapi. Në atë ngjarje unë dhe Xhulio mbetëm të plagosur, ndërsa Zamiri jo”.

Kristian Shkurti rrëfeu për hetuesit se vetëm fati ishte këtë herë me të dhe Xhulio Shkurtin, që duhet të ketë qenë objektivi kryesor i atentatit.

Kjo pasi vetëm pak minuta përpara se Laert Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij të shkrehnin plumbat ndaj tyre, Xhulio Shkurti ishte çuar nga lokali për t’u drejtuar te berberi ku do të qethej.

Kristian Shkurti

“Atë pasdite kam qenë tek lokali i Marjus Xhepexhiut së bashku me Zamir Latifin, Sajmo Xhelilin, Xhulio Shkurtin, Denis Lipen dhe Jurgen Hoxhën. Më pas, së bashku me Denis Lipen kam hyrë në lokal, ndërsa Xhulio Shkurti shkoi tek berberi për t’u qethur. Në momentin që po futesha në lokal, kam dëgjuar disa krisma armë automatike. Jam fshehur pas parvazit të derës dhe kam parë se çfarë po ndodhte. Kam parë një person me automatik në dorë, që qëllonte në drejtim të Zamir Latifit. Kam arritur ta njoh personin që po qëllonte me armë zjarri, që ishte Orges Bilbili. Kur kanë përfunduar krismat kam dalë jashtë dhe kam parë Marjusin që kërkonte ndihmë sepse ishte plagosur. Gjithashtu pak metra më tej ndodhej Jurgen Hoxha që nuk kishte shenja jete. Gjithashtu edhe Zamir Latifi i cili ndodhej 2-3 metra larg nuk kishte shenja jete. Nga Denis Lipe kam marrë vesh se personat që kishin qëlluar ishin Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili. Ndërsa Sajmo Xhelili kishte njohur Laert Haxhiun”.

Atentati i shumëfishtë tronditi jo vetëm qytetin e Lushnjës, por edhe mbarë Shqipërinë, për ashpërsinë e treguar. Edhe për faktin se si një i shumëkërkuar si Laert Haxhiu, por edhe bashkëpunëtorët e tij, lëviznin lirshëm, duke sfiduar tashmë hapur policinë.

Denis Lipe

“Kam parë që Zamir Latifin e ka qëlluar Anterio Kaloshi. Ky i fundit mbante të veshur një bluzë me ngjyrë të errët, kapuçin e së cilës e kishte hedhur mbi kokë. Krahas Anterio Kaloshit kam parë duke qëlluar edhe një person tjetër të cilin nuk kam arritur ta identifikoj. Pas ngjarjes Kristian Shkurti më tha se kishte dëgjuar se autori tjetër ishte Orges Bilbili. Ndërsa nga Sajmo Xhelili kam mësuar së autori i tretë ishte Laert Haxhiu.

Laert Haxhiu përpara rreth një viti në shtator të 2016 së bashku me Luli Arapin kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Sajmo Xhelilit, Zamir Latifit dhe Xhulio Shkurtit. Në këtë ngjarje kanë mbetur të plagosur Sajmo Xhelili dhe Xhuljo Shkurti. Laert Haxhiu ka qëlluar edhe në drejtimin tim, por unë kam mundur të mbrohem duke u hedhur në tokë”.

Por masakra e Lushnjës nuk do të ishte epilogu i fundit i një hakmarrje të gjatë, gati 25-vjeçare.

Enver Boriçi, ish-anëtar i bandës së Lushnjës, u gjet nga familjarët i vrarë me një plumb në kokë, mëngjesin e 14 dhjetorit 2019, teksa po pinte kafenë e mëngjesit, plumb që i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

52-vjeçari, njihej edhe si vëllai i Arben Boriçit, i dënuar me burgim përjetë, si anëtar i bandës së Lushnjës, ku edhe në këtë vrasje dyshimet mbi ekzekutimin bien te bandat rivale.

Afro katër vite nga Masakra e Lushnjës, Laert Haxhiu vazhdon të jetë i lirë. Të vetmit që sot ndodhen pas qelive dhe kanë marrë dënimin nga drejtësia janë Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.

Ndërkohë që njeriu më i shumëkërkuar në Shqipëri, Laert Haxhiu, edhe pse për kokën e tij ka një shpërblim nga policia, thuhet se mbrohet në liri nga një eksponent i lartë i krimit, që pavarësisht se ndodhet në burg, e ka në shërbimin e tij.

I akuzuar për disa vrasje si edhe grup të strukturuar kriminal, ai thuhet se lëviz gjithmonë i armatosur dhe i mbrojtur nga grupe kriminale. Ndërsa, për sa kohë është në liri gjasat janë që të shfaqet dhe të godasë sërish. Siç dyshohet se veproi në eliminimin e Elton Mermalit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb