TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë ka disktuar në një seancën maratonë, e dyta për këtë sesion të ri politik, rishikimin e buxhetit për vitin 2015. Pas diskutimeve deputetët e Kuvendit kanë miratuar me 74 vota pro dhe 24 kundër aktin noramtiv për rishikimin e buxhetit.

Akti normativ i buxhetit, shkurton me 22.4 miliardë lekë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat.
Ndërkaq aksioni kundër informalitetit konsiderohet nga qeveria si një mundësi efikase e mirë për të rritur të ardhurat në buxhet.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani e ka cilësuar këtë akt normativ për rishikimin e buxhetit 2015 si të domosdoshëm, nisur edhe nga realizimi i reformës së re territoriale.

Por sipas deputetëve demokratë ky akt normativ vjen si pasojë e dështimit të qeverisë me buxhetin dhe me modelin ekonomik.

BRAÇE: TREGUESIT E EKONOMISË JANË POZITIVË, JU I LEXONI SHIFRAT MBRAPSHT
Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe në përgjigje të akuzave të bëra nga Bode, është shprehur se treguesit e ekonomisë në vend janë pozitive. Duke akuzuar opozitën se “i lexon mbrapsht” shifrat e INSTAT, Braçe tha se në 8 vite qeverisje, PD ka dëmtuar ekonominë, dhe sipas tij këto dëme i mbulonin me buxhetin.

“Jeni deri në fyt me atë që bëtë në 8 vite qeverisje, dhe tani bëni si prokuror. Çdo dëm të krijuar e keni mbuluar me buxhetin. Favoret ndan CEZ-it, ia faturuat dëm KESH-it. Ne si mazhorancë dëgjojmë çdo vërejtje, por do të merret vesh se kush e dëmtoi ekonominë. Ne mbledhim nga TVSH shumë më tepër nga sa mblidhnit ju. Shifrat e INSTAT ju i lexoni gjithmonë mbrapsht, pasi treguesit e ekonomisë janë pozitive”, tha Braçe.

BODE: QEVERIA, AKSION PËR TË MBLEDHUR TAKSA ME DHUNË
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode është shprehur se qeveria me rishikimin e buxhetit përgënjeshtron “trumbetimet” e bëra prej saj për situatën ekonomike në vend. Deputeti demokrat tha se pavarësisht se qeveria ka rritur taksat dhe çmimet, nuk e ka reflektuar këtë në rritjen e të ardhurave.

“Ne nuk jemi kundër rishikimeve buxhetore që vijnë nga parashikime jo të sakta apo situata të domosdoshme, dhe të tilla rishikime janë bërë edhe gjatë qeverisjes tonë, por shkurtimet drastike të bëra nga qeveria aktuale janë një vetëpërgënjeshtrim i asaj që trumbeton kryemisnitri. Ai thotë se ekonomia është në rritje, por këto reduktime tregojnë të kundërtën. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një qeveri në vitin e parë apo të dytë të qeverisjes së saj të ketë një bjerrje kaq të madhe të gjendjes fiskale e performancës sa kjo qeveri. Korrupsioni ka arritur në nivele rrënuese për ekonominë e vendit dhe të ardhurat e qeverisë.

Qeveria rriti me 50% të gjitha llojet e taksave mbi biznesin dhe qytetarët, por prapë nuk arriti të gjejë të ardhurat.

Rama dhe ministrat e tij tentojnë të justifikojnë dështimin e bërë me interpretime konfuciane të së mirës e të së keqes. Po sipas qeveritarëve nga vjen mosrealizimi i të ardhurave? Pse kanë rënë të ardhurat kur qytetarët e paguajnë energjinë, apo madje edhe me çmim më të lartë. Po pse duhet të rëndojë e gjitha kjo në xhepat e qytetarëve.

Ekonomia është në kufijtë e mbijetesës, dhe të ardhurat e qytetarëve po ashtu”, tha Bode.

BALLA: TOPALLI ME KË TALLESH KUR BËN SIKUR TË DHËMB SHPIRTI PËR SHQIPTARËT?
ORA 19:05 Deputeti socialist Taulant balla ka reaguar pas deklaratave të ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila kritikoi kryeministrin Rama se nuk ishte i pranishëm gjatë fjalës së rastit të mbajtur nga Presidentja e Kosovës.

“Kryeministri është në një vizitë zyrtare në Gjermani. Ndryshoi programin për të pritur Presidenten e Kosovës. Vetëm ngaqë the gjithë kohës “Me kë tallesh”, po të pyes ty zonja Topalli: Po ti me kë tallesh kur bën sikur të dhemb shpirti për ata që sot janë në varfëri?”, tha Balla.

FLORION MIMA: KAPITENIT TONË PO I MBLIDHEN ARMIQ NGA TË GJITHA ANËT
Deputeti demokrat, Florion Mima duke folur nga vendi në seancën plenare e nisi referimin e tij me e-mailin e publikuar pak ditë më parë, të cilin kryeministri Edi Rama ua kishte dërguar ministrave socialistë. Mima tha se ky e-mail tregon se shtetit është totalisht i kriminalizuar.

“Kapitenit tonë po i mblidhen armiq nga të gjitha anët. Ikni tha ose do mbyteni bashkë me anijen. A e patë se çfarë mendon për deputetë. Ka një shprehje aty rrëqethëse, deputetët janë si janë, s’kemi çfarë ti bëjmë ne. Ky e-mail shpjegon pothuajse gjithçka dhe na lë të kuptojmë se armiqtë e vërtetë nuk janë ato që përmend kryeministri jonë, jo armiqtë janë të tjerë. Unë po listoj: kriminalizimi i pushtetit, ndarja e pushtetit me mafien, avionët e drogës. Shteti është totalisht i kriminalizuar dhe në duart e mafies, që nga legjislativi, ekzekutivi. Aktet normative kanë ardhur gjithmonë, por nuk mund ti krahasosh me situatën e sotme. Favore për klientët nuk mungojnë. E dhimbshme është që i bihet në qafë të vegjëlve, atyre që nuk sigurojnë dot kotheren e bukës. Në 6 muaj janë 6 persona që kanë vrarë veten nga pamundësia për të shlyer faturat”, tha ai.

VOKSHI: PSE NUK JENI PRONONCUAR PËR SKANDALIN E RIMBURSIMEVE, BEQAJ: ÇËSHTJA PO HETOHET
Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka replikuar me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Vokshi i ka kujtuar ministrit Beqaj, rastin e rimbursimeve fiktive duke u shprehur se ai nuk ishte prononcuar asnjëherë për këtë rast. Ndërkohë nga ana tjetër Beqaj tha se çështja është në hetim nga Prokuroria, ndërsa kompani farmaceutike nuk ka më asnjë marrëdhënie me Fondin.

Vokshi: Akti normativ tregon katërcipërisht që ju dështuat. Ky buxhet nuk duhet miratuar, sepse ai mbyt të varfrit. Ju në vend që të rrisni fondet për mbështetjen sociale e ulni me 20%. Ky është buxheti i mjerimit ndaj ju duhet ta refuzoni atë…
Vokshi: Një depo që bën 80% të informalitetit për insulinën. Pse nuk jeni prononcuar kurrë për këtë çështje.

Beqaj: Evazionin e shpërdorimit në rimbursim e filloi një strukturë kontrolli e qeverisë. Së dyti ajo çështje është në prokurori. Ne deri tani kemi evidentuar 10 mijë receta fiktive. Ajo kompani që flisni ju nuk ka më marrëdhënie me Fondin. Së treti që nga fundi i majti gjithçka që ndodh me rimbursimin është transparente në detaje, lëvizjet e depove, rimbursimi që kërkojnë farmacitë dhe sa para marrin nga fondi irimbursimit. Hetimi vazhdon.

BUMÇI: PO SHKURTONI BUXHETIN QË TË MOS U VINI NË NDIHMË SHQIPTARËVE
Ora 17:40- Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi duke folur për aktin normativ tha se shkurton qindra miliona lekë nga buxheti për të mos u ardhur në ndihmë shqiptarëve. Ai theksoi se përballë reformave të suksesshme të qeverisë, çdo ditë rritet numri i azilkërkuesve.

“Sapo keni marrë qeverisjen nuk keni ndikim në qeverisje. Korrik-Gusht 2015, u larguan nga Shqipëria aq sa u larguan gjatë gjithë vitit 2014. Si ka mundësi që pas reformave të suksesshme tuajat, ky numër vjen duke u rritur? Po shkurtoni buxhetin që të mos u vini në ndihmë shqiptarëve. Shkurtohen 520 mln lekë të reja në sistemin e ujitjes e kullimit. 1.8 mld lekë për rrugët shkurtohen. Shkurtohen miliona lekë për arsimin. 200 mln lekë shkurtohen nga pagesa e papunësisë, edhe pse papunësia rritet. Gjendja përkeqësohet, qeveria shkurton pagesat e papunësisë. Këto janë disa nga shkurtimet që bën ky pr/buxhet. Pra jemi keq, do bëhemi edhe më keq. BB thotë që ka rënie të parasë në  qarkullim. Në sektorin e ndërtimit, rënie të besimit. Keni 2 vjet që keni ngrirë ndërtimin, që ka mbajtur me bukë 50 mijë persona në Shqipëri. Nuk ka asnjë sy për ndryshim. Nuk do ndryshoni asgjë nga ajo që keni bërë në dy vite. Keni rikthyer shtetin policor. Sot në lajme, dy berberë që arrestohen. Është turp i madh! Është turp për një vend ky lajm dhe dështim për qeverinë! Ulni taksat, çlironi ekonominë, çlironi sektorin e ndërtimit me shpresën për të ringritur ekonominë”, deklaroi Bumçi.

CANI: EKONOMIA KËRKON PËRSHPEJTIME NË INVESTIME, BUXHETI DO PËRSHTATET ME NJËSITË E REJA
ORA 17:05-
Akti normativ i qeverisë nuk rrit deficitin dhe as taksat, por synon shtimin e investimeve. Këtë e ka shprehur nga foltorja e Kuvendit, ministri i Financave Shkëlqim Cani. Sipas kreut të Financave, ekonomia e vendit kërkon përshpejtim në investime, dhe me ndarjen e re administrative territoriale buxheti do të përshtatet sipas njësive të reja.

“Ky akt është i domosdoshëm pasi ne patëm një reformë të thellë administrative dhe territoriale, ndaj nevojitet një rakordim i buxhetit,. Ekonomia e vendit kërkon përshpejtim në investime. Koha nuk pret, ndaj ne vepruam menjëherë në kohë, për të zëvendësuar investimet me ato më të shpejta dhe të realizueshme. Ne synojmë zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen ekonomike sa më të lartë.

Qeveria mban zotimin e saj për deficitin dhe treguesit makroekonomikë. Nuk ka më në programin e saj kjo qeveri çështjen e rritjes së taksave, përkundrazi, ne po shohim çdo mundësi për uljen e tyre”, tha ministri Cani.

TABAKU: AKTI NORMATIV VJEN SI DËSHTIM I BUXHETIT
ORA 16:15-
Diskutohet akti normativ për ndryshimet në buxhet. Sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, ky akt normativ vjen si pasojë e dështimit të buxhetit të qeverise. Duke u shprehur se modeli ekonomik i qeverisë nuk funksionoi, deputetja Tabaku tha se tashmë qytetarët shqiptarë përballen me taksa e çmime më të larta.

Problemet me buxhetin, mungesë e vizionit që në gjenezë. 300 ditët e treta u kujtuan për informalitetin. A pa ndonjëri prej jush ndonjë analizë se tek cili sektor duhet përqendruar ky aksion? Aksioni është përqendruar tek ata që sjellin 5% në buxhetin e shtetit. Rritja e taksave solli informalitet. Në 2 vite jeni përgjegjës për mbylljen e 9 mijë bizneseve. Ky akt normativ, formalizon keqadministrimin, uljen e ndihmës ekonomike, uljen e konsumit”, deklaroi Tabaku.

Rendi i ditës
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 7.09.2015. (neni 44, pika 2, Rregullore)
2. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend. (neni 44, pika 3, Rregullore)
3. Akti Normativ nr. 1, datë 29.07.2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 160/2014, për buxhetin e vitit 2015”. (nenet 73-77 dhe 88, Rregullore) Pyetje Shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat Relatori Diskutime (Shprehen grupet parlamentare): Koha e votimit
4. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8738, datë 12.02.2001 “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””. (Për votim) (neni 83, Kushtetutë)
5. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. (neni 45, Rregullore) Koha e diskutimeve deri në 60 min. Në seancën e sotme pritet të miratohen edhe disa ndryshime në kodin rrugor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb