TIRANË

Kuvendi i hap dritën jeshile ngritjes së Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty. Ligjvënësit votuan me 85 vota pro, 12 kundër dhe 4 abstenim përbërjen e komisionit të Posacëm i cili do të drejtohet nga deputeti Ulsi Manja.

Nga mazhoranca anëtarë do të jenë Ulsi Manja, Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj. Nga opozita parlamentare anëtarë janë Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Enver Roshi. Pjesë e komisionit do jetë edhe deputetja Elena Xhina.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të hetojë raportin e Dick Marty, në të cilin theksohet se gjatë luftës së UÇK-së janë kryer krime kundër njerëzimit. Propozimi për ngritjen e tij erdhi disa javë pasi në Gjykatën e Hagës janë dërguar me akuza për krime lufte ish-udhëheqës të UÇK-së.

Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 83 vota kundër, 9 pro dhe 9 abstenim Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 88 vota pro, 12 kundër dhe 2 abstenim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 90 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri”.

Kuvendi miratoi me 94 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Kuvendi miratoi gjithashtu me 91 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: