TIRANË

Deputeti i PD-së Tritan Shehu flet për detyrime dhe gozhda që po bëjnë që Kuvendi të heshtë për agresionin rus në Ukrainë. Në një postim në “Facebook” Shehu shkruan se me gjithë zhvillimet e reja, faktet e krimeve monstruoze të luftës të realizuara aty nga ky agresion i tipit nazist, Kuvendi i Shqipërisë nuk lejohet të “flasë” për ato!

Sipas tij, mbajtja e tij në heshtje në këto kushte ndodh për flirte e detyrime të errëta, që janë në kundërshtim me pozicionet e interesat e vendit, kombit e rajonit.

POSTIMI I PLOTË
Përsëri, edhe rezoluta jonë e re me debat për agresionin rus në Ukrainë e rreziqet e interferencave të Moskës në Rajonin tonë, nuk lejohet të futet në rendin e ditës se Kuvendit!
Me gjithë zhvillimet e reja, faktet e krimeve monstruoze të luftës të realizuara aty nga ky agresion i tipit nazist, Kuvendi i Shqipërisë nuk lejohet të “flasë” për ato!

Megjithëse Bjellorusia e shpall Shqipërinë vend “jo mik”, Parlamentit tonë i mohohet e drejta për t’u shprehur edhe për këtë çështje, e përfshirë kjo në draftin tonë.
Nuk lejohet mbi të gjitha të dënohet roli i Serbisë si “kordon umbelikal” midis Moskës dhe Europës, nga mos aderimi në sanksionet kundër Rusisë.
Ndërsa të mendosh të kërkosh denoncimin e “Ballkanit të hapur” është herezi!

Dhe kjo gjendje jo vetëm për seancën plenare, por dhe për Komisionin e Jashtëm, të cilit i ka humbur “vula” dhe “zëri” siç thonë, kur duhej të diskutonte gjatë mbi këto subjekte…
…Ashtu si po ndodh sot në të gjitha Parlamentet e Botës demokratike.
Ndërsa maxhoranca e jonë po kërkon me çdo kusht të qëndrojë vetëm në kuadrin e asaj Rezolute të parë gjysmake e aktualisht krejt jashtë kontekstit, të iniciuar nga ajo.
Maxhoranca po kërkon kështu t’i shmanget deklarimeve e pozicioneve zyrtare, që merr Parlamenti i një Republike parlamentare sipas zhvillimit të ngjarjeve.
Dhe këtu askush nuk mund të fshihet mbas ndonjë “manifestimi popullor”, që të kujton regjimin e kaluar në falsitetin e tij.

Tashmë duhen pozicione zyrtare, obligime teë qarta të vendit të përputhshme me zhvillimet dinamike.
Dhe këto realizohen me seriozitetin maksimal vetëm me involvimin e Parlamentit.
Mjafton të ndjekësh për këtë Kongresin e Senatin amerikan, Parlamentet e vendeve të BE e të tjera demokratike.
Ishte Rezoluta e Parlamentit Europian, që kritikoi e paralajmëroi ashpër Serbinë fqinje si “ thyerëse” të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndërsa Kuvendit tonë i mbyllet goja.

Mbajtja e tij në heshtje në këto kushte ndodh për flirte e detyrime të errëta, që janë në kundërshtim me pozicionet e interesat e vendit, kombit e Rajonit.
Ndërkaq Kryeministri i ynë është në kërkim të thelluar të çdo mundësie jo vetëm për të shfajësuar Serbinë e Vuçiç nga gabimet e rënda që kryejnë, por dhe për t’i bërë lavde pa fund atyre!
Vetëm një “gozhdë” e madhe mund të “gozhdojë” maxhorancën në këto pozicione të rrezikshme për të gjithë!
Pikërisht shkulja e kësaj “gozhde” do të fillojë të “shkërmoqë” gjithçka të shtrembër ka ndërtuar ky regjim…dhe atë vetë!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb