Analistë politikë dhe njohës të çështjeve ekonomike në vend kanë ndarë mendimin e tyre në lidhje me idenë e hedhur nga Edi Rama për mini-Shengenin ballkanik, që nënkupton bashkëpunim ekonomik mes shteteve të Ballkanit.
Kryeredaktori i gazetës “Liberale” Arion Sulo mendon se ky qëndrim ka cene dhes e Shqipërisë i duhet më së pari integrimi në BE. Gazetari dhe prezantuesi Aleksandër Furxhi tha se është e vështirë si ide për t’u bërë realitet, për shkak se ky rajon deri dje ishte në luftë.
Ndërkaq, ish-ministri i Ekonomisë Arben Malaj e ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylë Ukshini thonë se ideja për mini-Shengen Ballkanik integron vendet rajonale.
Arion Sulo: Në mos nuk e tall historia, besoj se ka cene ky qëndrim. Franca sot në mënyrë jozyrtare ka thënë se do të ketë një JO për Shqipërinë. Një mini-Shengen ballkanik nuk është asgjë. Pa Kosovën është akoma më tmerr.
Aleksandër Furxhi: Ne e dimë se Kosova nuk merr pjesë në shumë forume. Ose edhe kur merr pjesë, ngrihet Serbia dhe forumi dështon. Unë mendoj se është një mënyrë për ta filluar si ide, që mund të jetë me e intensifikuar më vazhdim. Tani në një rajon që deri dje luftohej të arrish paqen ose bashkohen, është e vështirë. Mbetet për t’u parë gjithsesi.
Arben Malaj: Në këtë rast bie dakord. Nuk është diçka e re. Të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e CEFTA. Tjetër është që të kemi liri mallrash e liri lëvizjeje. Në këtë aspekt, duhet mbështetur, pavarësisht nga politikani që merr iniciativën. Ne nuk kemi rrugë tjetër për rajonin që e shkuara të lihet pas dhe të shikohet nga e ardhmja.
Sylë Ukshini: Si ide, koncept dhe platformë është e dobishme për të gjitha vendet e rajonit, sepse është tendencë për integrim të shteteve të rajonit.
(d.xh/Balkanweb)