TIRANE – Gentian Gjonaj, një nga të dyshuarit kryesorë si pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar, që u godit mbrëmjen e së mërkurës në Xibrakë të Elbasanit rezulton të jetë administrator dhe ortak në një kompani me dhëndrin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Klement Kolaneci, ky i fundit, arkitekt i njohur.
Duke iu referuar ekstraktit të QKR-së, rezulton se Gjonaj, Kolaneci dhe L.K, janë aksionerët e kompanisë ‘AIN’ me zyrë qendrore në Orikum të Vlorës. Objekti i aktivitetit të kompanisë në fjalë është “Import, eksport, tregti për artikuj të ndryshëm, agjenci turistike, imobiliare, transport mallrash brenda dhe jashtë vendit, shërbime në ndërtim, prodhim e tregtim bojërash, zbatim-projektime në ndërtim, etj”. Sipas të dhënave të ekstraktit, rezulton se Gjonaj është edhe administrator i kompanisë që prej vitit 2008.
Nga të dhënat rezulton se Gentian Gjonaj, zotëron 40 për qind të aksioneve, 40 për qind i zotëron aksioneri L.K, ndërsa 20 për qind i zotëron, Klement Kolaneci dhëndri i ish-diktatorit. Në fakt, bashkëpunimi në biznes, do të ishte krejt normal, deri në momentin kur bashkë me Gjonajn, u arrestua edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili akuzohet si organizator i rrjetit të trafikut ndërkombëtar nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Prokuroria ka nisur tashmë hetimin pasuror, për të sekuestruar pronat dhe pasuritë e të dyshuarve dhe në sitën e hetuesve do të kalojë dhe kompania në fjalë, pasi një prej aksionerëve, është i dyshuari si pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: