KUKES- Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Kukësit ka  dhënë masën e sigurisë për 5 të arrestuarit pas zbulimit të laboratorit të heroinës në fshatin Brenog të Hasit pak ditë më parë.

Gjykata vendosi masën “arrest me burg” për Xhevit Shutin, Flamur Çelën, Vehbi Barushin ndërs  “arrest shtëpie” për Mustafë Shutin, “detyrim paraqitje” për Anila Shutin.

Të akuzuarit mbërritën në orën 12:00 në Gjykatën e Shkalles së parë të Kukësit nën masa të forta sigurie. Caktimi i masës u bë nga gjyqtari Rexhep Karaj.

Prokurori i çështjes, Etmond Karriqi kërkoi ‘arrest me burg’ për të 5 të ndaluarit e këtij rasti, të cilët akuzohen për posedim, përpunim e trafikim të lendeve narkotike në bashkëpunim. Mbrojta e të pandehurve është marrë përsipër nga avokatet Aurora Guska e Domenika Gjergji.

Sipas policisë në këtë operacion janë vënë në pranga 6 persona, një prej të cilëve biznesmen turk si dhe 3 prej të cilëve nga familja Shuti, në banesën e të cilëve u gjet laboratori i drogës.


Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar një sasi prej 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Kjo lëndë dyshohet se ka ardhur nga Turqia. Me ndihmën e disa shtetasve nga Gjakova, të identifikuar nga policia, ajo mbërrinte në këtë fshat të Hasit ku kthehej në heroinë. Dyshimet e policisë janë se me pas ajo transportohej për në Durres me destinacion final vendet e Evropës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb