Tirana ka përkëdhelur fitoren ndaj Laçit deri në minutën e 99-të, por më pas goli i Redion Xhixhës ka bërë të shpërthejë festa në kampin kurbinas dhe protestat te Tirana, me stafin bardheblu që hyn në fushë për t’u ankuar te kryesori Meta për minutat e shumta të shtesës. Një gol që e zbret Tiranën në vendin e tetë pas suksesit të Luftëtarit, dhe që e mban ende në zonën e ftohtë.

Bardheblutë e kanë nisur më mirë ndeshjen dhe pas këmbënguljeve të shumta, kanë arritur të shënojnë në fundin e pjesës së parë, kur Sentamu ka përfituar mjaft mirë nga një rrëmujë në zonë dhe ka tundur rrjetën, për golin e fitores bardheblu. Interesant momenti i minutës së 65-të, kur Grent Halili kërkon të shënojë me dorë, por Meta i asistuar nga vijërojtësi vendosi të mos e akordojë dhe t’i javë karton të verdhë sulmuesit të Tiranës.

Laçi do të mbetet me 10 lojtarë në minutën e 94-ët pas kartonit të kuq të Najdenov, ndërsa pak çaste më pas do të ndërpritet ndeshja pasi një shishe uji do të godasë gjyqtarin anësor. Kjo ka bërë që Meta të akordojë shtesë mbi shtesë dhe atëherë kur mbrojtjen bardheblu ishte përgjumur, përfiton Laçi, që pas një zbritjeje perfekte shënon me Redion Xhixhën golin që bën të shpërthejë në festë kurbinasit dhe në protestë ndaj Kridens Metës bardheblutë.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: