Ylli i muzikës pop, Lady Gaga, është bërë nënë për herë të parë. Lajmi është raportuar nga mediat amerikane, ndërsa “Page Six” publikoi fotografi të këngëtares së bashku me partnerin e saj, Michael Polansky, duke shëtitur me foshnjën e tyre në Kaliforninë Veriore.
Lady Gaga, 40 vjeçe, dhe sipërmarrësi Michael Polansky janë prej vitesh në një lidhje dhe u fejuan në vitin 2024. Çifti ka ruajtur një profil të ulët për sa i përket jetës private, ndërsa lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre ka qenë i papritur për fansat.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera për foshnjën, përfshirë emrin, gjininë apo datën e saktë të lindjes. Sipas raportimeve, as këngëtarja dhe as përfaqësuesit e saj nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare.
Gaga, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Joanne Angelina Germanotta, ka folur prej vitesh për dëshirën e saj për t’u bërë nënë. Në një intervistë në vitin 2025, ajo e përshkroi mëmësinë si “roli i saj i ardhshëm i madh”. Këngëtarja dhe Polansky u lidhën romantikisht në vitin 2020 dhe marrëdhënia e tyre u forcua gjatë periudhës së pandemisë, kur kaluan kohë së bashku në izolim. Ata u fejuan në vitin 2024, ndërsa tani kanë nisur një kapitull të ri si prindër.
