Hidhet në erë një automjet në Shkozet. Mjeti dyshohet se i përket shtetasit Aldi Mustafa.

Gazetarja Klodiana Lala e cila ka siguruar dhe pamjet nga shpërthimi, raportoi për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur në orën 13:56 në Shkozet dhe nga pamjet duket se makina e zezë ka pësuar dëmtime të mëdha. Nuk dihet ende nëse në makinë ka qenë vetë Aldi Mustafa apo makinën e kishte në përdorim dikush tjetër. Policia nuk ka informacion zyrtar ende.

Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.

Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës.

Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb