Ish kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish sot anëtarin e KAS-it, Ilir Rusmali që sipas tij legjitimoi votimin në burgun e Rrogozhinës ku kandidati i PS-së përmbysi rezultatin në garën për Bashkinë.

“Cdo ditë dalin në pah rrëmbime mandatesh, dalin në pah akte të tjera të shëmtuara të regjimit për të kontrolluar me çdo çmim vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Këto 2-3 ditët e fundit KAS i partisë është dëshmuar një institucion i verbër, një institucion që shkelmon të vërtetat elektorale, një institucion që kryesohet nga një ish bashkëpunëtor i afërt i imi, i shkarkuar për korrupsion dhe tani humbet çdo lloj norme, parimi dhe vërsulet kundër kandidatëve fitimtarë se si e si ti kthejë në të mundur me meskinitetin, me qëndrimin e tij criminal ndaj ligjit dhe të vërtetës. Ky person me urdhër të Edi Ramës legjitimoi në Rrogozhinë qendrën e ngritur në burg pa asnjë vendim dhe asnjë akt nënligjor të ndonjë institucioni për një qendër votimi”, u shpreh Berisha në mbledhjen me deputetët e tij.

Sipas Berishës “i njëjti skenar është përdorur nga krimineli elektoral Ilir Rusmali, i cili ëndërron të bëhet avokat populli për meritën që është shkarkuar për korrupsion, edhe në Dumre ku iu rrëmbye mandati Bedri Qypit. Ndërkohë 16 vota të Bedri Qypit janë shpallur të pavlefshme sepse kishin vetëm një vulë me qëllim. Ndërsa votat që kishin shënime “suksese” ishin të vlefshme për kriminelin elektoral Ilir Rusmali”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb