Policia ka dhënë informacion zyrtar mbi arrestimin e djeshëm të Shkëlqim Bashës në Lazarat. 54- vjeçarit në bodrumin e shtëpisë iu kapën 15.5 kg kanabis, 1 pushkë 4 krehëra dhe 900 fishekë.

Operacioni Policor ”Sopoti” u finalizua pikërisht me arrestimin e tij në lagjen ”Përroi Selime” teksa ende në Lazarat vijon të ketë kultivim kanabisi.

Për më tepër Policia shpërndan edhe videon e operacionit ku duket në bodrumin e Shkëlqim Bashës, arsenali luftarak dhe droga.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Lazarat, Gjirokastër.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sopoti”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër.

Sekuestrohen armë, municione dhe lëndë narkotike.

Vihet në pranga autori.

Strukturat e DVP Gjirokastër në vijim të punës së pandërprerë për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në lagjen “Përroi Selime”, Lazarat, një shtetas dispononte armë zjarri, lëndë narkotike organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sopoti”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit SH. B., në një vend të përshtatur në bodrumin e shtëpisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë, 4 krëhëra, 900 fishekë, një sasi prej 15.5 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva (në trajtë pluhuri dhe mbetje bimore) të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar u konstatuan dhe disa bimë të kultivuara në oborrin e banesës së tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb