TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Lajmi vjen pak ditë pasi Tahiri dha dorëheqjen si deputet i pavarur dhe pranoi të hetohet si qytetar i lirë për akuzat e përfshirjes në trafik droge me grupin e trafikantëve “Habilaj”.

Prokuroria kërkoi burg pa afat për ish-ministrin Tahiri, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga gjykata duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Kujtojmë se prokurori i çështjes është Besim Hajdarmataj, i cili pak ditë më parë u shkarkua nga detyra si kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, post në të cilin u vendos Donika Prela.

Ky veprim vjen pasi Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve pranoi dorëheqjen e tij duke konstatuar përfundimin e mandatit.

Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.

Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur deri më 3 maj, kur dha dorëheqjen nga Kryesia e Kuvendit me një fjalim të gjatë.

Pas daljes së skandalit, Saimir Tahiri u shkarkua nga detyra e ministrit të Brendshëm, konkretisht më 11 mars të 2017-ës. Tahiri ka qenë ndër zyrtarët më të sulmuar nga opozita, PD dhe LSI, ndërsa ndaj tij janë lëshuar akuza të shumta, si përgjegjës për kanabizimin e vendit si dhe bashkëpunim me bandat kriminale.

(ma.a/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb