Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu Viktor Ymerin, të konsideruar si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkanweb” se vendimi është dhënë nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani. Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve kanë konfirmuar për “News 24” se Ymeri ka lënë qelinë gjatë ditës së sotme.

Mësohet se Prokuroria e Elbasanit do ta apelojë vendimin. Prokuroria thotë se gjykata ka zbatuar gabim ligjin, pasi ka llogaritur si ditë dënimi ditët e punës së kryera në burg.

Ymeri është liruar në kushtet kur vendimi tjetër gjyqësor që pranon si ditë burgu ditët e punës është ankimuar dhe Gjykata e Apelit nuk është shprehur ende. Viktor Ymeri është daja i Edison Harizaj, i cili u vra në një atentat në Durrës. Viktor Ymeri njihej ndryshe me nofkën “Torri i Xhihanes”.

Kush është Viktor Ymeri

Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit problematikë në Vlorë, dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizaj, i ekzekutuar para disa kohësh në Durrës. Në të njëjtën kohë Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës. Ky i fundit (Gaxhai) në qershor të vitit 1999, ka ekzekutuar bashkë me Ymerin me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Fillimisht Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend.

Për këtë ngjarje policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës, Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin. Policia e Vlorës tha në atë kohë se dyshohet se Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizaj, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës. Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre. Viktor Ymeri u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit.

Mirëpo koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas gjykatës së Apelit, Viktor Ymerit, i fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb