Kryeministri Edi Rama do të pyetet si dëshmitar në dosjen Partizani, çështje e hapur e drejtësisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Mësohet se kërkesa është pranuar nga GJKKO, ndërkohë që gjykata ka pranuar që kreui qeverisë shqiptare, të pyetet de nga vetë Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit ka masë ‘detyrim paraqitje’ për këtë dosje.

Kujtojmë se kryeministri do të merret në pyetje për çështjen e privatizimit, ndërsa në atë kohë ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës. Ka qenë Berisha që ka kërkuar vetë publikisht, por dhe përmes avokatëve të tij, që Rama të thirret si dëshmitar në proces, gjë që nuk u kundërshtua dhe nga SPAK, ndërsa GJKKO vendosi pro thirrjes së tij.

Dosja ‘Partizani’ kaloi për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. Tani ngelet për t’u parë nëse kryeministri do të paraqitet në proces apo jo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb