Vijoi mes dyshimit dhe entuziazmit vaksinimi i mësuesve në kryeqytet me vaksinën “AstraZeneca”. Para vaksinimit, mësuesit duhet të mbushin dhe firmosin një formular ku përshkruhen simptomat e Covid-19 dhe përgjegjësia për shpërndarjen e tij tek të tjerët, opsioni i refuzimit dhe mundësia për të ndryshuar mendim dhe vaksinimi në një moment të dytë. Një pjesë jo e vogël e mësuesve pohojnë pasigurinë dhe frikën e tyre për pasojat e vaksinës “AstraZeneca”.

“Po frikë është, çka kemi dëgjuar ne televizor. Po është e vështirë, pashë dje ne televizor që i kishin pezulluar këto vaksinat “AstraZeneca” në Bashkimin Europian”, tha për News24 një mësues i liceut artistik ‘Jordan Misja’.

“Jemi të pasigurt, kemi ardhur për ta bërë vaksinën ‘AstraZeneca’, por ende të pasigurt jemi se nuk jemi 100% të sigurt. Edhe thashethemet kanë ndikuar. Mendoj se procesi i vaksinimit duhet të pezullohej si në vendet e tjera deri në momentin qe të kishte një përgjigje me të saktë ashtu si shtetet e tjera”, shprehet një tjetër mësuese e liceut “Jordan Misja”.

Disa mësues ishin paraqitur pranë qendrës së vaksinimit pranë gjimnazit “Ismail Qemali”, por refuzuan me shkrim ta merrnin vaksinën “AstraZeneca” duke firmosur formularin me gjithë arsyet e refuzimit.

“Jo, kam ardhur për të bërë vaksinën, kam ardhur këtu të paraqitem, vetë e kam kaluar Covid-19”, u shpreh katautori i njohur Kristi Popa, mësues pranë liceut artistik “Jordan Misja”.

Sakaq një pjesë e madhe e mësuesve vazhduan vaksinimin, duke mbajtur shpresa të mëdha tek shkenca, te tjerë treguan se vaksina është domosdoshmëri dhe të gjithë duhet ta pranojnë pa hezitim.

“Do bëjmë atë që është më e mirë”.
“Deri sa po bëhet, besoj se ka siguri”.
“Nuk kam absolutisht frikë, të gjithë mësuesit duhet ta bëjnë, lajmet do bëjnë punën e tyre”.
“Tani kjo është shkencë, si ta hedhim shkencën poshtë”.
“Mençuria ime thotë se duhet bërë, megjithatë unë besoj shumë tek shkenca sesa tek politika”.

“Sapo u vaksinuam, jemi mirë, çdo gjë do shkojë në rregull”, ishin disa nga opinionet që News 24 u shkëputi arsimtarëve pranë gjimnazit “Ismail Qemali” e cila ishte kthyer edhe këtë të mërkurë në një qendër vaksinimi për disa shkolla përreth.

Ministrja e Shëndetësisë nëpërmjet një postimi njoftoi se 2664 mësues janë vaksinuar deri në datën 17 mars me dozën e parë duke siguruar kështu mbrojtjen ndaj COVID-19. News24 mësoi pranë Institutit te shëndetit Publik se procesi ka ecur mire, dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë efekt anësor tek mësuesit qe kane marre dozën e pare të vaksinës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb