Kryetarja e Akademisë së Shkencave, Justina Shiroka Pulaj është zgjedhur Presidente e Kosovës, pas votimit të zhvilluar në Kuvend gjatë seancës së mbajtur në orët e vona të kësaj mbrëmje. Votimi në Kuvendin e Kosovës shmangu kështu shpërndarjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Pula mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve, duke u zgjedhur në krye të Presidencës së Kosovës. Në garë për postin e Presidentes ishte edhe Eliza Hoxha, deputete e PDK.

Me pjesëmarrjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, në sallë u sigurua kuorumi prej mbi 80 deputetësh, me ç’rast Shiroka Pula mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur presidente e re e vendit.

Kjo zgjidhje erdhi pas një serie deklaratash dhe përplasjesh publike gjatë orëve të mbrëmjes. Fillimisht, kryeministri Albin Kurti kishte propozuar votimin e ligjit në këmbim të votës së PDK-së për Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, ofertë kjo që u refuzua nga lideri i PDK-së, Bedri Hamza. Më vonë, Kurti doli me një propozim të modifikuar, duke propozuar emrin e Shiroka Pulës.

Sakaq, në Kuvendin e Kosovës u votua po këtë mbrëmje edhe ligji për Dhomat e Specializuara.

Si u shmangën zgjedhjet e reja

Seanca nisi rreth një orë para mesnatës, pasi partitë politike u dakorduan për procedurën e votimit. Fillimisht, deputetët miratuan me procedurë të përshpejtuar shmangien e afatit rregullor prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve dhe votuan Projektligjin për Dhomat e Specializuara, i cili një ditë më parë kishte kaluar leximin e parë me mbështetjen e 91 deputetëve. Ky ligj trajton çështje që lidhen me mbrojtjen ligjore dhe mbështetjen financiare për personat që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Menjëherë pas kësaj, Kuvendi kaloi në procedurën e votimit për kreun e ri të shtetit. Në garë ishin dy kandidate: profesoresha Justina Shiroka Pula dhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila u propozua formalisht nga partia e saj për të përmbushur kërkesën kushtetuese për praninë e të paktën dy kandidatëve në proces.

Vijon…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb