Policia arreston 2 persona të dyshuar si atentatorë të vrasjes së vëllezërve Haxhia, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, në Durres. Lajmi u bë me dije nga drejtori i Përgjithëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një konferencë për mediat.

Veliu tha se arrestimet u kryen ne kuader te operacionit policor i koduar “Shën Vlash”, i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Nga të dhënat policore dyshohet se kanë qenë 4 autorët e vrasjes.

Në pranga kanë rënë shtetasit A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe K. A., 22 vjeç, banues në Durrës;

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.

Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

NGJARJA
Vrasja ndodhi më 27 prill, rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në qytetin bregdetar, ku vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u qëlluan teksa po lëviznin me makinën e tyre tip “Golf”. Ata janë gjetur të pajetë brenda mjetit të tyre,
Grupi hetimor ka bërë me dije se të dy vëllezërit ishin qëlluar në kokë dhe trup, ndërsa “një ekzekutim i tillë nuk është parë prej shumë kohësh”.

Vëllezërit Haxhia kanë një pikë Exchange dhe dërgesash të parave, makina me qira dhe shërbim karotreci në Spitallë. Pikërisht ditën kur u ekzekutuan ata sapo kishin rihapur edhe aktivitetet e biznesit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb