TIRANË

Gjykata e Posaçme, ka liruar kardiologun Edvin Prifti. Mjeku u arrestua pasi iu sekuestruan 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë, gjatë kontrollit në banesë dhe në zyrë.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala, raporton për “BalkanWeb” se ka mbetur në fuqi masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës.

Kujtojmë se mjeku i njohur është zbuluar rastësisht nga SPAK, pasi kjo e fundit kishte vënë në përgjim sekretaren e gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila u arrestua bashkë me gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe dhjetë persona të tjerë për vapën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Teksa SPAK e kishte vënë në përgjim Mallkuçin, zbulon se kjo e fundit fliste me mjekun Prifti për operacionin e nënës, për të cilin ai i kishte kërkuar para. Sakaq, në një intervistë për “News 24”, Prifti deklaroi se paratë e gjetura janë të ligjshme dhe shtoi se ato janë të bashkëshortes të përfituara nga një kontratë shit-blerje me të motrën.

“Kjo është një kërkesë që bëri prokurori i çështjes, që bazohej në faktin e një sasie të ardhurash, që u gjendën në shtëpinë time dhe e konsideroi të arsyeshme një ashpërsim të masës në arrest me burg. Sigurisht që pasi ai e kërkoi këtë, ne paraqitëm gjithë dokumentacionin që këto janë të ardhura të ligjshme me një kontratë të bashkëshortes sime të shit-blerjes së një prone. Unë kam qenë në dijeni të këtij procesi, sepse vetë SPAK dërgoi njerëz që më datë 9 për të sekuestruar kartelat. Isha në dijeni, sepse i kam konsideruar gjithçka që kam në jetën time të ligjshme, me nder dhe me punën që kam bërë.

Kam punuar 12 vite jashtë vendit tim, në qendrat më të mira, ku vetëm çmimet ndërkombëtare që kam marr arrijnë vlerën e 200 mijë euro. Çdo gjë që kam është e ligjëruar. Sasia që ndodhej në shtëpinë time, vjen nga një akt shit-blerje i bashkëshortes sime. Për këtë nuk e pashë të nevojshme që kjo gjë të më krijonte ndonjë problem, ndaj e mbajta në shtëpi, aty ku e kisha. Uroj që drejtësia të marrë vendimin e duhur dhe kam besim që drejtësia mund të funksionojë në këtë vend. Dy orë më parë, segmente të caktuara të politikës dhe ekzekutivit, përfshirë dhe kryeministrin, kanë deklaruar që unë jam i arrestuar. Mesa duket unë po shkoj drejt arrestit në këtë moment”, tha Prifti.

Pas arrestimit, mjeku i njohur e apeloi vendimin. Në apelim, saktësohej se pasuria e mjekut Edvin Prifti ishte e ligjshme dhe se paratë e gjetura janë të bashkëshortes, ndaj dhe ai nuk ka bërë përpjekje për t’i fshehur. Në apelim, Prifti kërkoi shfuqizimin e vendimit për shkak të paligjshmërisë së procedurës dhe për mungesë të provave që e bëjnë të arsyeshëm dyshimin se, “zoti Prifti ka kryer veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Më tej thuhej se “Një pjesë e të hollave (56.850 USD dhe 3.395.000 lekë) nuk u gjetën në zyrën e tij, por pas kontrollit vetjak, në çantën e tij të lap-topit, i cili në thelb është një akt i paligjshëm, sepse gjykata nuk kishte disponuar me vendim për kontrollin e tij personal”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: