Mes dhimbjes së familjarëve, miqve dhe kolegëve, gazetarit Enrik Mehmeti iu dha sot lamtumira e fundit.
Në homazhet e zhvilluara për përcjelljen e tij mori pjesë edhe Presidenti i Focus Media News, z. Irfan Hysenbelliu, i cili u shprehu ngushëllimet më të sinqerta nënës, bashkëshortes dhe familjarëve të Enrikut, duke ndarë dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme.
Duke kujtuar figurën e gazetarit, z. Hysenbelliu e vlerësoi Enrik Mehmetin si një njeri me vlera të larta njerëzore dhe një profesionist të spikatur, që nuk bënte kurrë kompromis me të vërtetën dhe lajmin. Ai tha se Enriku ishte një gazetar i guximshëm, i apasionuar pas profesionit dhe një koleg që fitoi respektin e të gjithëve falë integritetit dhe marrëdhënieve të sinqerta që ndërtoi me njerëzit.
Presidenti i Focus Media News theksoi se largimi i Enrikut nga kjo jetë është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por edhe për News24, ku ai dha një kontribut të çmuar ndër vite, si dhe për kolegët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.
“Është me rëndësi ajo që bëjmë në këtë jetë, sepse ajo do të kujtohet edhe kur të ikim prej saj”, u shpreh z. Hysenbelliu, duke nënvizuar se veprat, profesionalizmi dhe mirësia janë trashëgimia më e çmuar që lë pas çdo njeri.
