Një vajzë e re e rritur në Francë, pak ditë para se të nisej për në SHBA merr një telefonatë nga një zë burri që i prezantohet me emrin e babait që ajo e di të vdekur, siç edhe nënën në një përpjekje për t’u arratisur nga Shqipëria komuniste. Filmi i regjisores shqiptaro-franceze Liri Begeja “Larg barbarëve” është shfaqur në Tiranë 30 vite pasi u xhirua dhe Timo Flloko në rolin e një shqiptari që sapo ka ikur në Francë rrëfen xhirimet.
“Filmi u xhirua 30 vite më para në kohën e pas eksodit të madh të shqiptarëve në botë, pas rënies së regjimit komuniste te ne”, thotë Timo.
Në rolin e një të arratisuri gjatë diktaturës Sulejman Pitarka përcjell personazhin që bart dritëhije e pengje nga ajo që ka lënë pas dhe mënyra si ka ikur, ndërsa Piro Mani portretizon persekutorët që ikën pas ‘90-ës nga Shqipëria si të përndjekur duke marrë emrat e viktimave të tyre. Kjo ndërthurje personazhesh të shqiptarëve të ndryshëm, që në një farë mënyrë përfaqësonin histori të ndryshme njerëzore, edhe persekutorin edhe të përndjekurin, a ishte kjo Shqipëria e asaj kohe?
“Atje ngjarjet thuhen dhe filmi është sa një dokument historik për mua aq edhe një vepër artistike. Nga të gjitha pikëpamjet ka personazhe nga më të ndryshmet. Madje kemi të bëjmë me fatin e dy vëllezërve, njëri që mbeti këtu dhe tjetri që iku. Njëri që i shërbeu sistemit dhe tjetri që u arratis dhe e la diktaturën e kohës”, thotë Flloko.
Kur pyetet kush janë barbarët në këtë film, ai përgjigjet se “barbarët janë ata që e kanë shtypur popullin dhe krijuan dramën e izolimit.
Liri Begeja i rikthehet në një farë mënyre historisë së Shqipërisë dhe vetë familjes së saj.
“Sigurisht filmi ka një lloj prerje biografike i gjithë skenari, është jeta e saj në një sens. Liria është një personazh, njeri shumë i mirë, grua me kulturë e artiste e mirë. Ka një ndjenjë dashurie të madhe për vendin e vet”
Filmi u shfaq në kuadër të Javës franceze të kulturës në bashkëpunim me Arkivin e filmit dhe është një produksion ndërkombëtar me muzikë të Piro Çakos.
(BalkanWeb)