Çmimi “Lumo Skëndo” i konceptuar nga Qendra kombëtare e librit për të vlerësuar librin më të mirë në lëmin e studimeve, eseistikës dhe publicistikës, i ka shkuar Lea Ypit, për memuarin “Të lirë” që sjell një panoramë vetiake të fundit të regjimit komunist e viteve të para të pluralizmit politik në Shqipëri.

Kryetari i Jurisë, Uran Butka vlerësoi se: “Libri të lirë i autores Lea Ypi me origjinalitet, vërtetësi, nëntekst dhe meditim filozofik, politik kritik, nëpërmjet kujtimeve të mirëfilllta të fëmijërisë dhe adoleshencës. Vepër që na nderon edhe nëpër botë që është përkthyer në 15 gjuhë”.

Autorja, pinjolle e familjes Ypi, që prej botimit të librit në shqip ka dyzuar publikun në vlerësime e kritika për qasjen që ka pasur ndaj rënies së një sistemi dhe ngritjes së një tjetri, çka u pasqyrua në ceremoni. Uran Butka tha: “Do them diçka të diskutueshme, jo si pjesë e jurisë. Dilemat dhe përsiatjet politike dhe ideologjike të Leas së sotme, për konceptin e lirisë në kapitalizëm dhe socializëm e cënojnë disi, spontanitetin e veprës dhe e mjegullojnë vizionin”

Ndërkohë, Lea Ypi, teksa u ndal gjatë te koncepti i saj mbi lirinë, tha se “Libri ka ardhur ne Shqipëri jo pa hezitimin tim dhe është pritur jo pa polemika nga publiku shqiptar. nuk ndaj bindjet politike të Lumo Skëndos, unë mendoj që Shqipëria është një shtet shumë i vogël, dhe me një traditë intelektuale shumë të shkurtër, që ta ketë luksin e këtyre ndarjeve politike që të pengojnë ecurinë e përbashkët intelektuale. Dituria e vërtetë thotë Lumo Skëndo, është kur ne e gjejmë lidhjen me truallin nëpërmjet zërave të të vdekurve, që dëgjohen akoma në këtë truall”.

Ministrja e kulturës dhe drejtoresha e Qendrës së librit vlerësuan botimet në konkurrim dhe folën për politikat e librit. Në pesëshen më të mirë ishin Fatos Lubonja, Fatmir Toçi, Rubens Shima, Kujtim Shala dhe Ypi. Ndërsa juria përbëhej nga Butka, Piro Misha, Dhurata Shehri, Belina Budini e Dorian Koçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb