Avokati Marash Logu një ditë më parë nga Kuvendi Kombëtar të PD, është shprehur kritik ndaj kësaj të fundit.

Sipas tij tek të dy grupimet përdoret e njëjta taktikë. Gjithashtu Logu thotë se dy grupimet pretendojnë të jenë diametralisht të kundërta, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Nuk e di nëse kësaj here u shkarkuam si mbështetës të Sali Berishës. Di vetëm që ne jemi aty ku kemi qenë më 17 Korrik 2021; anëtarë të Partisë Demokratike, duke kontribuar me aq sa dimë dhe mundemi pranë familjes tonë politike. Asokohe qoftë Basha, ashtu edhe Berisha na i njihnin dhe vlerësonin kontributet. Pastaj?!”, shkruan Logu.

Reagimi i Marash Logut

Letër nga ne, të shkarkuarit e përhershëm

Më 17 Korrik 2021, pasi Sali Berisha dhe Lulzim Basha u përqafuan të buzëqeshur, Kuvendi Kombëtar i PD-së zgjodhi, me propozim të kryetarit të partisë, Këshillin e ri Kombëtar me mandat 4–vjeçar (2021/2025). Një prej të zgjedhurve të këtij Këshilli, isha edhe unë.

Rezultatet nuk u bënë publike, por me anëtarët e vetëm tre komisioneve që munda të kontaktoj m’u konfirmua se numri im i votave ishte mbi 600 delegatë të Kuvendit Kombëtar. Kryesisht demokratë të Shkodrës, Kamzës e Paskuqanit, të cilëve iu jam thellësisht mirënjohës për besimin.

9 muaj më vonë, më 30 Prill 2022, grupimi i drejtuar nga Sali Berisha vendosi shkarkimin e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjen e një Këshilli të ri. Megjithëse Sali Berisha na shkarkoi duke na konsideruar mbështetës të Lulzim Bashës, 16 muaj më pas, grupimi i drejtuar nga ky i fundit na shkarkoi sërish.

Nuk e di nëse kësaj here u shkarkuam si mbështetës të Sali Berishës. Di vetëm që ne jemi aty ku kemi qenë më 17 Korrik 2021 – anëtarë të Partisë Demokratike, duke kontribuar me aq sa dimë dhe mundemi pranë familjes tonë politike. Asokohe qoftë Basha, ashtu edhe Berisha na i njihnin dhe vlerësonin kontributet. Pastaj?!

Fati i vendimeve të grupimit Berisha u vulos më 3 Mars 2023 nga Gjykata e Apelit Tiranë. Profesioni më detyron të parashikoj të njëjtin fat edhe për vendimet e djeshme, për të cilat tashmë ka një kërkesë në shqyrtim në Gjykatën e Tiranës.

Megjithatë, përtej anëtarësisë në një forum të caktuar partiak, nuk mund të mos të bëjë përshtypje se si dy grupime që pretendojnë të jenë diametralisht të kundërta, përdorin të njëjtat taktika shkarkimi e përjashtimi të demokratëve kontributorë që po ata i etiketojnë si “kundërshtarë” të tyre.

Në fakt, as unë e as kolegët e mi, besoj, nuk e dinim që mandati ynë modest në Këshillin Kombëtar ishte zgjidhje për krizën e thellë të Partisë Demokratike këto 2 vite. Sepse po ta dinim, ashtu si ajo socialistja e Beratit në vitin 2003 që gjithë patos hiqte dorë nga uji, dritat dhe buka, vetëm mos të përçaheshin shoku Fatos me shokun Ilir, me të njëjtin shpirt sakrifice edhe ne do të kishim dorëzuar mandatet vetëm mos të na përçaheshin “shokët” e partisë tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: