TIRANE- “BalkanWeb” siguron letrën e plotë të dorëheqjes që ka dorëzuar pranë KQZ-së deputeti i PDIU-së në Elbasan, Bujar Muça.

Biznesmeni i suksesshëm që iu bashkua PDIU-së në zgjedhjet e 25 qershorit duke siguruar kështu edhe mandatin e deputetit, thotë se e ka marrë këtë vendim për arsye personale, pasi nuk po arrinte të përmbushte premtimet për të cilat iu ishte zotuar mbështetësve të tij. Ai sqaron se gjithçka erdhi pasi PDIU-ja nuk i përmbushi objektivat e veta, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe tek ai.

LETRA E PLOTË
bujar-muco
Unë Bujar Shahin Muça jam zgjedhur deputet i Republikës së Shqipërisë dhe kam filluar detyrën më datë 09.09.2017, nga lista fituese e Partisë për Drejtësi Integrim e Unitet, Qarku Elbasan.

Duke parë që, për shkak të rrethanave të ndryshme politike, forca politike që unë përfaqësoj nuk arriti objektivat e veta dhe si rrjedhojë, unë nuk po gjej hapësirat e duhura për mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve, mbështetësve dhe drejtuesve të mi, duke pamundësuar zgjidhjen sa më shumë të jetë e mundur të problemeve të tyre dhe përfaqësimin në mënyrë optimale të interesave të tyre kam vendosur të jap dorëheqjen

Duke falenderuar qytetarët e Elbasanit për besimin e duke kërkuar ndjesë që nuk arritëm çfarë duhej i garantoj që do të vazhdoj të jem pranë tyre e në krah të tyre si gjithmonë.

Kujtojmë se Muça u rendit i dyti në Elbasan në listën e PDIU-së. Por sot me vullnetin e tij ai iu drejtua me dorëheqje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas procedurave mes KQZ-së e Kuvendit, vendin e tij do ta zërë personi pasardhës në listën emërore për qarkun e Elbasanit, respektivisht Elena Xhina.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb