Në shumicën e konkurseve të bukurisë, është e pazakontë që gra apo nëna të konkurrojnë, madje në disa prej tyre është e ndaluar konkurrimi, me rregulla të shkruara ose jo.

Përjashtim nga një rrymë e tillë ka bërë Franca. The Times raporton se tashmë gratë dhe nënat me fëmijë mund të jenë pjesë e Miss Francës, në përpjekje për të “modernizuar” konkursin dhe për ta përshtatur me shekullin e 21.

Organizatorët e konkursit kanë lejuar Victoire Rousselot, 27- vjeç, një nënë e martuar dhe asistente dentare, të konkurrojë në Miss Alsace. Sipas rregullave të deri tanishme, garueset duhet të ishin jo më shumë se 24 vjeç, të pamartuar dhe të mos kishin lindur fëmijë.

Konkursi, që do të zhvillohet në dhjetor, mbetet një pjesë e kalendarit televiziv francez dhe ndiqet nga shtatë milionë njerëz.

Sidoqoftë, konkurrentet duhet të plotësojnë kushti e gjatësisë minimale prej 1.7 metrash. Ata gjithashtu nuk duhet të shtojnë peshë gjatë garës, të ndryshojnë modelin e flokëve apo të shfaqin ndonjë tatuazh apo pircing.

Alexia Laroche-Joubert, kreu i organizatës Miss France, tha se ndalimi i martesës dhe fëmijëve ndodhte pasi pjesëmarrja në konkurs kërkon liri nga detyrimet e tjera.

Megjithatë, ajo shtoi se ka ardhur koha për ndryshim.

“Unë vetë kam pasur një karrierë ndërkohë që kisha fëmijë. Ndaj nuk dua të mendoj që edhe konkurrentet e kanë të pamundur pjesëmarrjen për shkak të ngarkesës së një fëmije”, tha Laroche-Joubert, 52 vjeç, i cili është gjithashtu kreu i një prej produksioneve më të mëdha televizive në vend.

Lëvizja pasoi pranimin vitin e kaluar të kandidatëve transgjinorë për sa kohë që ato janë të regjistruara si femra në regjistrin shtetëror të identitetit.

Të dielën Andréa Furet, 20 vjeç, një grua transgjinore, krijoi një precedent kur u shpall e dyta në finalen e Miss Paris, një nga titujt rajonalë që është pjesë e garës kombëtare.

Laroche-Joubert u përfshi në konkursin Miss France vitin e kaluar për të modernizuar organizimin që është vënë nën kritika nga grupet feministe dhe qeveria për promovimin e stereotipeve arkaike të grave.

Deri më tani, konkurrentet e Miss Francës duhej të ishin jo më shumë se 24 vjeç, por këtë vit organizatorët kanë pranuar Victoire Rousselot, 27, e cila është e martuar dhe ka një fëmijë.

Në prag të konkursit të fundit të Miss Francës, Élisabeth Moreno, ministrja e Barazisë, kritikoi organizimin, duke e quajtur atë të vjetëruar dhe diskriminues.

Ajo thirri Laroche-Joubert dhe e këshilloi që të pranonte kandidatë transgjinorë, pasi kjo ndodhte edhe në konkurset e tjera në mbarë botën, duke përfshirë Miss Spanjën, Miss SHBA, Miss Afrikën e Jugut dhe Miss Panama.

Vitin e kaluar disa aplikantë të refuzuar bashkuan forcat me një grup feminist për të çuar në gjykatë konkursin e bukurisë për shkelje të pretenduar të ligjeve të punës dhe diskriminim për shkak të pamjes.

Si përgjigje, organizata u dha garuesve të vitit të kaluar kontrata të plota pune me pagesë dhe premtoi të modernizonte më tej konkursin. Në lidhje me këtë çështje ende nuk është marrë një vendim i formës së prerë.

Miss Franca në fuqi, Diane Leyre, një agjente pronash 24-vjeçare, thotë se është e përkushtuar ndaj barazisë.

“Si grua dua të tregoj se mund të jesh Miss Franca dhe feministë. Për mua, feminizmi është të vendos të bëj atë që dua”, tha ajo pas fitores.

Përktheu: BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb