Bëri shumë zhurmë dhe vazhdon të bëjë jehonë, zëvendësimi i Ronaldos. Mënyra se si CR7 e përjetoi këtë vendim ka bërë që në media të qarkullojnë disa versione, krisje ndërmjet tij dhe trajnerit, ofendime dhe deri në një divorc në fund të sezonit por “TuttoSport” ka një tjetër version. E përditshmja torineze ka angazhuar disa lexues buzësh për të kuptuar nëse Ronaldo ofendoi trajnerin gjatë kohës kur po largohej drejtë dhomave të zhveshjes.

Tuttosport
Tuttosport

Pasi analizuan pamjet, “TuttoSport” shkruan se nuk ka të bëjë me një ofendim por me një shpërthim personal në portugalisht. Në fakt as drejtuesit e klubit nuk janë të shqetësuar për këtë pjesë, as që kanë ndërmend të ndezin dhe më shumë këtë çështje, e aq më tepër të ndëshkojnë me gjobë yllin e ekipit, janë të bindur se Ronaldo dhe Sarri do të sqarohen personalisht. Shqetësimi i vetëm i tyre është gjuri i Ronaldos, grumbullimi me ekipin përfaqësues dhe forma e tij.

Fakt është se Ronaldo nuk ka qenë Ronaldo në katër ndeshjet e fundit. Gjithçka nisi në sfidën kundër Lecces ku Ronaldo mori një goditje në gju. Normalisht në ndeshjen pasuese, atë kundër Genoas, Ronaldo duhet të qëndronte pushim por portugezi jo vetëm që nuk pushoi por qëndroi në fushë për 90 minuta duke rezultuar përcaktues me penalltinë e fitores. Ndeshje e plotë kundër Torinos, por pa lënë gjurmë, ndërsa kundër Lokomotivë Moskës u zëvendësua në minutën e 81-të, përballë Milan e mbylli në minutën e 55-të, një rendiment në rënie që po shqetëson jo pak ambientin bardhezi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb