Kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese Pegi, Aida Baro, ishte e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ku ndau mendimet e saj mbi tendencat e fundit në botimin e librave. Ajo theksoi se, për shkak të tkurrjes së buxhetit për kulturën, shtëpitë botuese janë të detyruara të botojnë libra që janë më shumë në linjë me shijet e momentit. Megjithatë, Baro theksoi rëndësinë e një balance midis librave që janë të suksesshëm për momentin dhe atyre që kërkojnë një reflektim më të thellë.

Disa nga titujt që Baro sugjeroi për lexim për të rritur dhe fëmijë janë: “Edhe një ditë më shumë” i Mitch Albom, “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës” nga Elvira Dones, si dhe disa nga klasiket e letërsisë si “Liza në botën e çudirave” dhe “Princi i vogël”. Ajo përmendi gjithashtu librat e rinj si “Iliada dhe Odisea”, “Xhungla”, dhe “Piter Pan”, që janë të ripërpunuar për t’u përshtatur më mirë për fëmijët.

Baro theksoi gjithashtu se libri mund të jetë një mundësi për të zhvilluar dhe nxitur imagjinatën e fëmijëve dhe të rinjve, duke bërë që ata të gjejnë një dashuri për leximin.

Redaktorja dhe kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese Pegi,  Aida Baro: Buxheti i kulturës është tkurrur dhe shtëpitë botuese janë të detyruara që të botojnë libra, që janë shije e momentit. Duhet t’i botojmë, sepse ky proces ndihmon më tej me botimin e librave pak më të vështirë. Duhet një balancë mes librave të momentit dhe atyre pak më të vështirë. Libri “Edhe një ditë më shumë” i autorit Mitch Albom, ka Çarlin si personazh kryesor dhe e ka fajësuar nënën që i vogël, për ikjen e babait. Kur jemi fëmijë dhe kur rritemi, ne nuk njohim sa duhet prindërit tanë. Ne shikojmë prindërimin, por nuk dimë çfarë ëndrrash kanë pasur ata. Çarlit i vjen çudi që nëna e tij kujdesej tepër për veten, edhe pse mendonte se duhet të ishte një grua krejt normale, që i ka rënë një fatkeqësi. Por, nëna e bënte këtë që Çarli të harronte fatkeqësinë. Marrëdhënia mes nënës dhe të birit lulëzon dhe çelësi i marrëdhënies është komunikimi. Një tjetër titull nga Elvira Dones është “Jeta e shkurtër e Lukas Santanës”. Ky libër doli në panairin e librit. Elvira është shqiptare, por shkruan në italisht, ajo ka trajtuar tema sociale, ka trajtuar temat e vajzave shqiptare që janë trafikuar jashtë dhe çështje që janë globale. Historia zhvillohet në Teksas, është temë universale dhe prek të drejtën e njeriut për të jetuar. Kemi dhe personazh shqiptar. Lukasi bëhet pjesë e bandave. Kjo bandë kryen masakër, Lukasi nuk ka qenë përfshirë në masakër, por ai është i vetmi që është kapur dhe dënohet me vdekje dhe shtrohet pyetja a është i drejtë ky vendim, ai ka të shkuar të errët, është dënuar apriori.

Në SHBA ka ligj, që nëse ti ke qenë pjesë e një bande, dënohesh dhe nëse s’ke qenë në një masakër. Historia rrëfehet nga nëna e Lukasit, marrëdhënien e vështirë që ka pasur ajo me djalin, jetën e vështirë të emigrantëve meksikanë në Amerikë. Fataliteti është që personazhet lindin në periferi dhe janë të destinuar të vdesin në periferi. Libri iu flet të gjithëve. Kemi dy botime “Liza në botën e çudirave” dhe “Princi i vogël”. Këto janë të preferuarit e mi, se kemi bërë në total 5 tituj. Fëmijët edhe lexojnë, sepse kanë kuriozitet. Adoleshenca e ka pak më të vështirë, duhet punë frymëzuese, një punë që ta përfshish adoleshentin, që të vijë me dëshirë. Kemi librin e Xhunglës, Piter Pan, Iliada dhe Odisea që do dalë javën tjetër. Janë libra të riparë në pikëpamjen e një fëmije. Në fund të librit ka fjalëkryqe në bazë të asaj që kanë lexuar, për të pasur edhe zbavitje. Po punojmë me “Ana Kanerinën”, që do dalë javës tjetër. Kemi David Koperfildin pas disa kohësh, Sagën e Forsajdëve, Margaritarin e Pushkinit, Sonetet e Shekspirit, është letërsi cilësore dhe janë përkthime shumë të mira.

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: