Tragjedia e Parisit, ku kanë humbur jetën të paktën 120 persona ka sjellë reagimin e liderëve botërorë. Më poshtë vijojnë disa prej tyre:

Presidenti amerikan, Barack Obama: Ky ishte një sulm kundër civilizimit dhe vlerave tona të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.

Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton: Njoftimet që vijnë nga Parisi janë të tmerrshme. Lutemi për viktimat.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk: Po ndjek I tronditur ngjarjet në Paris. Ndjenjën më të lartë të simpatisë për popullin francez.

Kryeministri britanik, David Cameron: Jemi gati për cdo ndihmë për popullin francez.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel: Të gjitha lutjet tona të shkojnë për viktimat e Parisit.

Presidenti rus, Vladimir Putin: Njoftime të tmerrshme po vijnë nga Parisi. Gjithë mbështetjen tonë për autoritetet franceze.

VATIKANI DËNON SULMET NË FRANCË, I QUAN “ÇMENDURI TERRORISTE”
Vatikani zyrtar i ka dënuar sulmet e mbrëmshme në Paris, duke i quajtur “çmenduri e dhunshme terroriste”, dhe ka bërë thirrje për një përgjigje të vendosur kundër përhapjes së “urrejtjes vrastare.”

“E dënojmë dhunën në mënyrë më radikale së bashku me Papën dhe të gjithë ata ithtarë të paqes”, ka thënë zëdhënësi i Vatikanit, Ati Federico Lombardi përmes një deklarate.

MERKEL MBLEDH QEVERINË PAS ATENTATEVE NË PARIS
Kancelarja gjermane, Angela Merkel njoftoi për ditën e sotme një takim ministror pas sulmeve që goditën Parisin një ditë më parë, me premtimin se do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar Francën në sulmin kundër terroristëve.

“Do të takohem në mesditë me kabinetin qeveritar për të shqyrtuar rrjedhën e ngjarjeve në Francë si dhe rreth pikëpyetjeve që të çojnë drejt një akti kaq makabër”, deklaroi Merkel.

“Ne do të ndërmarrin gjithçka duke dhënë kontributin tonë në gjetjen e autorëve dhe të nxitësve të këtyre atentateve dhe për të kryesuar së bashku luftën kundër terroristëve në mbështetje të Francës”, shtoi ajo duke saktësuar se Berlini është në kontakt të ngushtë me qeverinë franceze.

“Ne po derdhim lot hidhërimi sëbashku me ju”, deklaroi ajo në shenjë solidariteti ndaj popullit francez.

ARABIA SAUDITE: NGJARJA E PARISIT PËRBËN SHKELJE TË GJITHÇKAJE ETIKE, MORALE DHE FETARE
Ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir dënoi sot atentatet e Parisit duke theksuar se ngjarja tragjike përbënte një shkelje të gjithçkaje etike, morale dhe fetare.

“Dua t’i shpreh ngushëllimet qeverisë dhe popullit francez për sulmet terroriste të urryera që përbëjnë shkelje të gjithçkaje etike, morale dhe fetare”, deklaroi Adel al-Jubeir për median përpara një takimi ndërkombëtar për Sirinë, që do të zhvillohet në Vjenë.

Arriti në të paktën 120 numri i personave që humbën jetën si pasojë e sulmeve të njëpasnjëshme në afërsi të stadiumit “Stade de France” në rrugën “Charonne” si dhe në sallën e koncerteve “Bataclan”.

ASSADI DËNON SULMET: KËTË GJË KA DURUAR SIRIA PREJ VITESH
Presidenti sirian, Bashar al Assad, ka dënuar sulmet në Paris dhe ka thënë se me akte të tilla të terrorit populli i tij është përballur në vitet e fundit të luftës civile.

“Ajo çfarë përjetoi Franca është një terror që populli sirian ka përjetuar në këto pesë vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë presidenti sirian.

ROHANI DËNON ATENTATET E PARISIT DHE SHTYN VIZITËN HISTORIKE NË EVROPË
Presidenti iranian, Hasan Rohani dënoi atentatet në Francë duke i konsideruar krime kundër njerëzimit, ndërkohë që njoftoi edhe shtyrjen e vizitës historike në Evropë, që duhej të fillonte sot.

“Në emër të popullit iranian, që ka qenë dhe vetë viktimë e terrorizmit, dënoj me forcë këtë krim kundër njerëzimit dhe shpreh ngushëllimet për popullin francez dhe qeverinë e tij”, shkruan Rohani, sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA.

Pak më vonë, ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif njoftoi në televizionin shtetëror se Rohani kishte shtyrë vizitën e tij në Itali, Vatikan dhe Francë.

Presidenti iranian, Hasan Rohani do të niste sot një vizitë zyrtare në Itali dhe në Francë, e para prej 16 vitesh, që dëshmon për një përmirësim të marrëdhënieve që prej marrëveshjes bërthamore të muajit korrik.

Vizita e fundit e një udhëheqësi të shtetit iranian në Evropë daton në vitin 1999.

Reformatori Mohamad Khatami kishte zhvilluar në muajin mars një vizitë zyrtare në Romë më pas në Paris. Ai ishte në atë periudhë presidenti i parë në vizitë në Evropë që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: